(Të abuzosh në emër të teuhidit)

Nga: Hoxhë Alban Gorishti

Para ca kohësh prezantova në një prej xhamitë e kryeqytetit ku pjesë e tematikës së trajtuar ishte shpëtimi në emër të teuhidit (Koncept i saktë Islam). Kështu duke dëgjuar shtjellimin e hutbes,që për hir të së vërtetës ishte mjaft mirë i kalibruar,dëgjova edhe pjesë ku realisht nuk kishin të bënin me teuhidin si përshembull se ai i cili merret me punët e të tjerëve(kam përshtypjen se e kishte fjalën që merreshin me atë hoxhë) në botën tjetër nuk do të shpëtonin. Nejse unë po e perifrazoj me dy llafe por “orkestrimi” i tematikës ishte më mirë i elaboruar.Kështu me një aritmetikë të çalë si ajo e imja pak a shumë dilte që nëse merreshin me atë hoxhë ishin kundër  teuhidit (I cili është institucioni më i shenjtë në Islam).Ndaj deshte apo jo hoxha e riktheu gjithë diskursin  tek uni(egua) e vet.

Duke menduar në reshtat e këtij shkrimi më doli para sysh në një TV kombëtare lajmi sesi shumë prej magjistrave apo gjykatësve jepnin dorëheqen para se të futeshin në rrethin “vicioz” të vetingut , drejtësisë “së re”,pra para se ti nënshtroheshin  fazës së dytë të tij.Kështu u kujtova se të tërë këta abuzuan me diçka që “predikuan” se ndodhej tek të tjerët kur në ralitet e njëjta gjë ishte ngulur si një kunj i stërmadh në shikimin dhe zemrën e tyre.Shumë fetar dhe filozof u përpoqën të shpjegojnë personalitetin e njeriut,dëshirat e tij,energjitë e tij pozitive dhe negative ,dëshirat për post dhe pushtet por “ngecën” në momentin kur u përpoqën të kuptojnë se përse njeriu edhe pse në thellësi e di se një ditë padrejtësia e tij do të nxirret në shesh nga “vetingu” i kësaj apo asaj bote ,përsëri e vepron abuzimin dhe forcimin e egos së vet?

Sipas Spencerit dhe Taylor njeriu primitiv e ka përzier ëndrrën me realen sepse besonte se ne vetveten e tij ekzistojnë dy qenie. E para ajo e cila paraqitet ne ëndrra dhe e dyta qenia e vet e vërtetë. Duke i shtuar psikikës pjesën e pavetëdijshme Frojdi e ndan në tri pjesë; vetëdija,paravetëdija dhe pavetëdija.Vetëdija është e përberë nga gjërat që njeriu i di,i njeh dhe i ka të qarta.Paravetdija është e përbërë nga ato gjëra ose informacione të cilat ai i ruan të gatshme për ti përdorur në vetëdije kur ti lind nevoja.Ajo gjithashtu është ndërlidhësja mes pavetdijes dhe vetëdijes.Pavetëdija është e përbërë nga një mister i panjohur për njeriun që krysisht është edhe vendndodhja e errët negative e natyrës njerëzore. Ndaj them se rrjedhimisht njeriu modern është i prirur ta përdori më tepër paravetëdijen sesa vetëdijen apo pasvetëdijen,një shfrytëzim utilitarist i mjeteve në favor të çështjes dhe propagandës së vet dominuese. Ngjashëm edhe shfrytëzimi i disa diskurseve fetare nga disa individë është një dialektikë e cila në thelb tenton të fuqizojë vet individin sesa kauzën,ndërsa këto elemente janë të qarta kur shtrohen pyetje si,kush përfiton nga e tërë kjo? Islami, individi, okulti apo një pjesë e vogël e shoqërisë?Një rregull në psikologji thotë: Kur përpiqeni të bindni dikë të bëjë diçka, sigurohuni që ai të jetë ulur dhe ju të qëndroni në këmbë. Kjo do t’i bëjë ata t’ju besojnë më shpejt. Kjo është arsyeja pse shumica e CEO-ve (manaxheri kryesor i një shoqërie) ose oratorve preferojnë të qëndrojnë në këmbë.”

Është e ditur se adresa e besimit islam përfaqësohet me fjalën e teuhidit ”La ilahe il Allah” ,apo fjala e sinqeritetit ,përkushtimit e cila do të thotë “Nuk ka asnjë entitet të vlefshëm i cili meriton të adhurohet me të drejtë përveç Allahut”. Ajo fjalë është shpallja e kryengritjes ndaj keqbërësve dhe diktatorëve, është kushtrim mbarëbotror për ta liruar njeriun nga drejtësia e remë e “vetingjeve” toksore  duke i kujtuar atij vazhdimisht “Vetingun” e vërtetë të botës tjetër ku para tij nuk kanë për të qëndruar gjykatës të koruptueshëm por i Vetmi pa fillim dhe pambarim atë që asnjë shikim nuk mundet ta përfshijë ndërsa ai i përfshin të tëra shikimet.Për këtë koncept pikërisht Zoti thotë në Kuran në suren Ali Imran 79: S’është e drejtë as nuk i takoi asnjë njeriu që t’i ketë dhënë All-llahu librin, urtësinë dhe pejgamberllëkun, e pastaj ai t’u thotë njerëzve: “Bëhuni robë të mi (adhuromëni mua) e jo të All-llahut”! Por (ju thotë): “Bëhuni  edukatorë  të mësimeve të Zotit, ngase u keni mësuar njerëzve librin dhe e keni studiuar atë.”

Përdorja fillimisht e tematikave fetare për ti dhënë një drejtim më pas personal apo për ti dhënë drejtim në të cilin justifikohen “vetingje” të pavlera të matura sipas metrit religjoz, qofshin edhe me leverdi pjesërisht, do të thosha se është si fenomeni i ndjekjes së ajeteve të paqarta për të cilën Allahu thotë në Kuran:Ai është që ta zbriti librin ty e që në të ka ajete të qarta dhe ato janë bazë e librit, e ka të tjerë që nuk janë krejtësisht të qartë (muteshabih). E ata, që në zemrat e tyre kanë anim kah e shtrembëta, ata gjurmojnë atë që nuk është krejt e qartë për të shkaktuar huti, e kinse kërkojnë komentin e tyre. Po, pos All-llahut askush nuk e di domethënien e tyre të saktë. Dijetarët (edukatorët të pajisur me dije gjithformuese-RASIKHUNE)  e pajisur me dituri thonë: “Ne u kemi besuar atij (atyre që janë të paqarta), të gjitha janë nga Zoti ynë”! Por këtë e kuptojnë vetëm ata që janë të zotët e mendjes.” Ali Imran 7.Por kush janë këta edukatorë(RASIKHUNE) o zot?Këtë na i sqaron vet Allahu në suren Nisa e cila pason atë Ali Imran.Ai thotë: Por ata, prej tyre që kanë thesar të diturisë(Ata që dinë ta brumosin veten dhe të tjerët me  njohuri edukuse-RASIKHUNE) , dhe besimtarët, besojnë atë që tu shpall ty dhe atë që u shpall para teje, besojnë edhe ata që e falin namazin dhe japin zeqatim dhe besimtarët në All-llahun e në jetën e ardhshme. Të tillëve do t’u japim shpërblim të madh.”

Kjo lodhje e tyre (dhe e të gjithë atyre që mbartin “ëndrrat” e njëjta ) me kujtoi historinë e atij personi që  kalon pranë një toke të thatë dhe krejt befas zbulon vendin e një thesari. Nis të gërmoje dhe kërkon derisa gjen monedha ari dhe argjendi. Pastaj thotë me vete: Po e morra vetë thesarin pak e nga pak atëherë do të preokupohem dhe nuk do mund të kenaqem me të mirat që kam gjetur, prandaj më mire të marrë disa qiraxhinj që të merren ata me këte punë për pak para, e unë nuk do lodhem aspak. I solli qiraxhinjte nisi t’i ngarkonte aq sa mbanin dhe pastaj të shkarkoheshin në shtëpinë e tij. Vazhduan derisa e ngarkuan të gjithin. Në fund kur thesari i gjetur mbaroi personi u nis pas qiraxhinjve dhe shkoi në shtëpi, por pa se ata nuk e kishin dërguar thesarin në shtëpinë e tij, por e kishin përvetësuar. Kështu u lodh dhe u emocionua më kot dhe mbeti pa thesar vetem sepse nuk mendoi në çastet e fundit kur duhej  realisht të reflektonte mirë për mënyrën sesi i ishte dhënë ky thesar dhe mënyrën sesi  duhej ta ruante.Ky thesar është besimi i cili i jepet njeriut me pak interesim prej tij si dhuratë prej Zotit,ndërsa puntorët të cilëve i ngarkohet për ta ruajtur këtë thesar deri në shtëpi janë ideologjitë “vjedhëse”   të cilave njeriu ia lejon vetes të bjeri pre e mashtrimit të tyre, padiskutim në mesin e tyre futen edhe dëshirat, epshet e pronarit të kësaj pasurie që në rastin e njeriut të nënvetëdijes kanë qënë të shumta ,dhe po aq të shumta kanë qënë rastet ku epshet e tyre kanë mbizotruar mbi besimin dhe hyjnoren.

Ndaj kini kujdes nga njeriu me mentalitet primitiv por me kostum modern, si dhe nga ai i cili qëndron “në këmbë” ndërsa përpiqet t’iu bindi për “drejtësinë” e Zotit!Por mbi të gjitha kini kujdes nga ai i cili abuzon në emër të teuhidit.

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re