Shtyhet për herë të pestë gjyqi në ngarkim të Emiljano Shullazit dhe katër të pandehurve të tjerë të grupit të tij.

Endrit Zela, njëri prej tyre ka replikuar me gjyqtaren Albana Boksi, të cilës i ka thënë se ka kërkuar dorëheqjen e saj, pasi sipas tij, gjyqtarja është në konflikt interesi. “Ti nuk garanton drejtësi.

Po imponohesh në këtë proces. Kam kërkuar dorëheqjen tënde, do të gjykosh me çdo kusht këtë dosje.”-mësohet të jetë shprehur Zela.

Qysh në nisje të procesit, avokati i Zelës, Bledar Shanja kërkoi dorëheqjen e kryesueses së trupës, Albana Boksi, duke pretenduar se avokati është në një tjetër proces administrativ në gjykatën e Shkodrës me xhaxhain dhe babain e gjyqtares Boksi.

Avokati i Endrit Zeles kërkon përjashtimin nga trupa të gjyqtares Albana Boksi, pasi aktualisht ai është avokat edhe në një proces tjetër gjyqësor në Shkodër ku po mbron një palë të paditur nga të afërm të gjyqtares, xhaxhai dhe babai i saj.

Avokati sqaroi se ai po mbron palën e paditur nga të afërmit e gjyqtares, madje këta të fundit e kanë fyer gjatë procesit duke e quajtur kriminel.

Avokati tha seancën e shkuar se gjyqtarja Boksi nuk mund të japë një vendim të drejtë, për shkak se mund të ketë ndikim nga ana familjare.

Pretendime për trupën gjykuese në këtë gjyq, ka edhe nga i pandehuri Gilmando Dani i cili kërkon përjashtimin e gjyqtarit Arben Vrioni, me pretendimin se vëllai i gjyqtarit e ka kallëzuar penalisht Gilmando Danin e të vëllain e tij, lidhur me një aksident të ndodhur më parë.

Grupi i Emiliano Shullazit dhe të pandehurit e tjerë janë dënuar në shkallë të parë me 55 vite burg për një sërë veprash penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Grupi ka apeluar vendimin në Gjykatën e Apelit, por problemet e tyre me trupën gjykuese kanë shtyrë për plot pesë herë këtë gjyq.

Edhe në shkallën e parë, gjyqi i grupit Shullazi u kthye në një telenovelë, pasi u shty për dhjetëra herë, me pretekste dhe justifikime nga më të ndryshmet.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re