Sot mbushen 5 vjetë që është ndarë nga jeta Genc Hasani, aktori, regjizori, masoviku i klasit të parë që njehsoi emrin e tij me qytetin tonë. Nuk ka aktivitet kulturoro – sportiv të zhvilluar në ish Q.Stalin e asaj kohe ku të mos ketë lënë gjurmët e tij i madhi Genc.

I madhërishëm në të dy profilet, atë njerëzor dhe atë profesional, Genci ishte dhe mbetet unik në kujtesën tonë si bashkëkohës të tij.

Njeri me zemër të madhe, i pastër qelibar, i bardhë si bora, i ndershëm e i thjeshtë si pak të tjerë, i dhimbsur e i dashur sa s’thuhet, i çiltër e i qeshur të shkruar në sy, Genci do të krijonte një portret të dashur e gjithë pranuar nga banorët e qytetit tonë punëtor e kulturdashës.

Një jetë e shkuar me artin, sportin dhe kulturën, një jetë në dispozicion të së ardhmes, lules mbi tokë, fëmijëve, karakterizoi “udhëtimin” e Gencit në këtë botë dhe i dha Atij “pasaportën” për në parajsë. Janë të shumtë ata që i’a dedikojnë suksesin në art e kulturë fillimeve me Gencin, janë shumë më të shumtë ata që i njohin vlerat dhe çmojnë kontributin e Genc Hasanit.

Për fat jam një prej këtyre të fundit, jam dëshmi e gjallë e cilësive madhore të Gencit. Ishte Ai që më ofroi në Pallatin e Pionierëve detyrën e Instruktorit të Rrethit të Radios. Ishte koha kur me të njihesha së largu dhe ky veprim i tij ishte tregues i ndershmërisë dhe përgjegjshmërisë së tij si drejtor i Pallatit të Pionierëve.

Nuk jam i vetmi që nderoj e çmoj Genc Hasanin, nuk jam i vetmi që shpreh Mirënjohje për atë çka Ai bëri në dhe për qytetin tonë. Kështu dhe shumë më bukur se unë flasin dhe përkujtojnë sot Gencin tonë në këtë 5 – vjetor të udhëtimit të tij për në parajsë.

Genci ishte i bekuar nga perëndia, Ai ishte i rrethuar nga Mirësia…një familje e mrekullueshme qëndronte krahë tij për t’a bërë atë të ndihej krenar e i plotë në këtë jetë.

Vitet ikin, por Genci jo. Ai qëndron madhështor në memorjen e gjithë kuçovarëve me atë trup e zemër të madhe me atë zë kumbues dhe karakteristik.

Ti nuk vdes kurrë, o Genc Hasani!

/aktoretshqiptare.info

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re