Një nismë e ngjashme me atë të “Ballistëve’’ të Tetovës para katër viteve kur i kërkon Lazim destanit dhe kompanisë së tij “Eccolog’’ të merrnin pronësinë e Shkëndijes së Tetovës pritet edhe në Berat. Sot një grup tifozësh të Tomorit por edhe qytetarë beratas kanë nisur një kërkesë kundrejt biznesmenit të suksesshëm beratas, Pëllumb Salillari të marrë drejtimin e Tomorit.

Nxitja erdhi pas daljes së buxhetit të Bashkisë Berat për vitin 2018, e cila është edhe aksionerja e vetme e klubit. Në këtë buxhet veç shifrës prej 270 milionë lekësh që do të shpenzohet për vitin 2018 është përcaktuar se tashmë klubi ka zero borxhe të prapambetura dhe është nxjerrë në shitje.

Pas këtij lajmi tifozët beratas duke kërkuar ngritjen e një klubi model dhe me objektiva më të mëdha kërkojnë që si shumë ekipe në Shqipëri edhe kjo skuadër të privatizohet. Kjo ka bërë që ata të dërgojnë një letër drejt biznesmenit Salillari duke kërkuar që ai të vihet në krye të punëve dhe ta rikthej skuadrën aty ku e meriton.

Berati TV ka zbuluar edhe letrën që i është dërguar pronarit të Salillari sh.a, z. Pëllumb Salillari, si më poshtë.

I nderuar zoti Pëllumb Salillari.

Në mungesë të një tifogrupi të organizuar të tifozerisë beratase, ne jemi një grup tifozësh, të cilët do iu bëjmë një kërkesë, e cila besoj se shumë shpejt do të gjej përkrahje nga të gjithë tifozët e Tomorit dhe sportdashësit e qytetarët beratas.

Së pari, na duhet t’iu vlerësojmë për punën tuaj duke krijuar një ndër kompanitë më të mira dhe të suksesshme në Shqipëri por jo vetëm. Puna juaj dhe e kompanisë është një vlerësim edhe për qytetin tonë pasi beratasit janë njohur përherë jo vetëm për kulturën dhe historinë që kanë trashëguar ndër shekuj por edhe si njerëz punëtor dhe të ndershëm. Shpesh veprat e tyre janë evidentuar duke lënë shenjë jo vetëm në qytetin e krahinën tonë por edhe shumë më gjerë, e tillë është edhe puna juaj. Por ne  do të dëshironim një shërbim tjetër prej jush që ti bëhej qytetit tonë më shumë se 2400 vjeçar.

Së dyti, të vijmë edhe te kërkesa jonë sa sportive por edhe qytetare. Të gjithë që jetojmë apo kemi jetuar në këtë qytet e krahinë kemi vlerësuar, si krenaritë tona shumë trashëgimi kulturore apo edhe natyrore, si: Kalaja e Beratit, lagjet muzeale, lumi Osum, qytetin e Dimalit, kodikët e Beratit,  malet e Tomorit dhe Shpiragut, parqet natyrore të Tomorit dhe Ballollit, Kanionet e Osumit, burimin e Bogovës e shumë të tjera. Por mes këtyre tashëgimive kemi edhe një të tillë sportive, një krenari e madhe për ne, qytetin, qarkun dhe gjithë krahinën tonë, FK Tomori.

Për t’iu bërë pak histori në vitin 1923 në Berat nën shembullin e të tjera qyteteve të rëndësishme të vendit tonë u krijua shoqëria artistike-sportive Tomori por në vazhdimësi futbolli ka marrë gjithnjë rolin parësor. Tomori ka qënë përherë një skuadër e rëndësishme dhe e traditës duke nxjerrë breza të tërë futbollistësh që kanë bërë historinë e tyre jo vetëm në futbollin e qytetit tonë por edhe atë kombëtar. Por pavarsisht kësaj qytetin tonë dhe këtj ekipi i mungon një trofe i madh, dmth titulli kampion apo Kupa e Shqipërisë.

Nëse para viteve ’90 e gjithë rrjedha e sportit dhe e ekipit tonë kanë qënë të ndikuara edhe nga koha apo rregullat e regjimit të kaluara. Por tashmë ashtu, si ju keni ngritur një biznes tuajin e dini se gjithçka funksionon bazuar në ekonominë private dhe të tregut të lirë. I tillë është edhe futbolli modern, i cili ka nevojë për investimet e duhura nga biznese serioze dhe për këtë gjë Beratit në pjesën më të madhe të këtij 27 vjeçari ka vuajtur shumë. Kështu përjashtuar disa periudha të caktura kur sidomos mund të kujtojmë sezonin 1999-2000 kur Tomori u shpall nënkampion(edhe pse për ne tifozët jemi kampion), pjesa tjetër e historisë nuk i shkon përshtat as historisë së klubit dhe as qytetit tonë.

Kjo skuadër fatkeqësisht është endur në nivelet e ulta të futbollit kombëtar, si Kategoria e Parë dhe e Dytë. Skuadra e Tomorit por edhe tifozët e saj janë detyruar të përballen me skuadra të një niveli shumë larg emrit të Tomorit, si: Këlcyra, Maliqi, Pojani, Memaliaj, Iliria etj. Një fat të tillë e kanë provuar dhe vazhdojnë ta provojnë edhe skuadra të tjera shqiptare me një histori të madhe, si: Partizani, Dinamo, Elbasani etj., kur këto investime kanë munguar. Apo kemi edhe shembuj krejt të kundërta me qytete që kanë histori më të vogël se Berati apo edhe sportive se Tomori, si: Kukësi, Laçi, Bylisi etj., të cilat kanë provuar suksese të madhe pikërisht për shkak të investimeve serioze të biznesmenëve vendas.

Së treti, të vijmë tek pjesa e fundit edhe më themelore e kësaj letër kërkese. Vetëm pak ditë më parë Bashkia Berat ka përcaktuar buxhetin e vitin 2018 ku pjesë të rëndësishme mori edhe futbolli dhe ekipi i Tomorit. Në këtë buxhet janë përcaktuar 270 milionë lek(të vjetra) që do i dedikohen Tomorit. Duke marrë parasysh edhe klubet e tjera ky buxhet është i mjaftueshëm për të realizuar objektivin e qëndrimit në Kategorinë e Parë. Por edhe ne, si çdo tifoz dëshiron ta shoh ekipin e vet në nivelet më të larta të futbollit tonë, Kategorinë Superiore. Ashtu si e prekëm më lart buxheti i Bashkisë Berat aktualisht aksionerja e vetme me 100% të aksioneve të FK Tomorit. Por në këtë buxhet ka edhe një përcaktim të rëndësishëm pasi më në fund pas shumë vitesh FK Tomori ka një borxh zero kundrejt të tretëve dhe gjithashtu është përcaktuar edhe nxjerrja në shitje e aksioneve të klubit.

E dimë se në legjislacionin shqiptar ende mundon një “Ligj i plotë për Sportin’’që mund të lehtësoj edhe përfshirjen tuaj dhe të kompanisë tuaj në këtë fushë. Por mund të themi pa frikë se në rastin që një investitor ka një plan serioz mund të dalë me fitim edhe në këtë fushë jo vetëm në aspektin financiar por edhe atë sportiv. Kjo është arsyeja e kësaj letër kërkese ku ne në emër të gjithë tifozëve të Tomorit dhe qytetarëve beratas të kërkojmë angazhimin tuaj në blerjen e aksioneve të FK Tomorit.

Jemi të sigurt që kjo do të rriste kredencialet tuaja në vlerësimin që do të kishin jo vetëm tifozët e Tomorit në gjithë Shqipërinë dhe jo vetëm por edhe futbollist e ish futbollist të Tomorit dhe dashamirës të sportit dhe opinioni futbolldashës shqiptar. Tomori në Kategorinë Superiore do të ishte një ‘’xhevahir’’ i shtuar në futbollin tonë kombëtar. Por jo vetëm kjo do të ishte një rritje e autoritetit të Beratit në gjithë shqiptarinë duke njohur popullaritetin që ka ky sport në gjithë trevat tona. Sigurisht ky do të ishte edhe një efekt i drejtpërdrejtë në jetën e qytetit tonë dhe gjallërimin e saj. Të mos harrojmë që kemi një ndër stadiumet më të mirë dhe më të mëdha në vend. Por ne premtojmë që jo vetëm ky stadium por kudo ku Tomori do të luaj do të gjesh një stadium të mbushur me tifozë beratas gjithnjë në mbështetjen tuaj dhe të klubit. Por kjo do të ishte edhe dhurata më  e bukur për klubin dhe qytetin tonë në 95 vjetorin e klubin.

Për këtë ju kërkojmë dhe sugjerojmë të nisni bisedimet me klubin dhe Bashkinë Berat për blerjen e aksioneve ashtu, si ligji përcakton. Mendojmë se borxhet zero, mbështetja nga Bashkia me buxhet, pasja e një stadiumi të mirë dhe me një fushë të saposhtruar, ekzistenca e ekipeve të moshave janë favore për një investitor që të bëhet pjesë e një klubi. Por edhe tifozeria beratase dhe mbështetja e tyre e pakursyer e jona do të jenë një arsye më tepër të na bashkoheni në këtë nismë për të ringritur edhe njëherë Tomorin aty ku meriton emri dhe historia e tij por edhe emri dhe historia e qytetit tonë.

Për ta mbyllur edhe njëherë po iu kërkojmë që pasi të merrni dhe të shqyrtoni me kujdes këtë letër të nisni në mënyrë serioze bisedimet për blerjen e aksioneve të FK Tomorit dhe përherë do të keni mbështetjen tonë.

Firmosur nga tifozët beratas, të cilët iu premtojnë mbështetje dhe besnikëri.

Ju falenderojmë paraprakisht dhe presim reagimin tuaj!

/Berati.TV

 

 

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re