Pas njoftimit të Bashkisë për gatishmërinë e nisjes së negociatave për shitjen e klubit duket se tifozët berates po provojnë të bëjnë pjesën e tyre që këto aksione të shkojnë në ‘’duart’’ e një investitori serioz, të fuqishëm por edhe beratas e tifoz të Tomorit. Për këtë arsye ata kanë zgjedhur presidentin e kompanisë Salillari LTD, Pëllumb Salillari.

Kështu ata i dërguan atij një kërkesë e firmosur nga një numër i lartë tifozësh berates ku kërkonin angazhimin e tij në blerjen e aksioneve të FK Tomorit dhe për ta kthyer më pas atë në një skuadër konkuruese dhe fituese.

Duket se kjo kërkesë e tyre e pasqyruar e plotë edhe nga “Berati.TV’’ dha efektin e vet sepse Salillari pasi u premtoj tifozëve angazhimin e tij në blerjen e aksioneve në mënyrë zyrtare ka bërë edhe një kërkesë në klub. Edhe pse ende nuk është mësuar përmbajtja e plotë e kësaj kërkese të dy palët konfirmojnë se Pëllumb Salillari tashmë zyrtarisht ka kërkuar blerjen e aksioneve tek FK Tomori.

Por duket se tifozët beratas nuk e kanë përfunduar këtu misionin e tyre pasi të njëjtën sjellje kanë treguar edhe ndaj presidentit aktual të FK Tomorit, kryebashkiakut Petrit Sinaj. Ata tashmë i kanë dërguar atij një letër kërkesë sërish të firmosur nga një grup tifozësh iniciator dukei kërkuar që të bëj të mundur nisjen e proçedurave për shitjen e 76% të aksioneve por edhe uljen në bisedime me Pëllumb Salillarin.

Më poshtë keni edhe letrën e plotë të tifozëve drejtuar kryebashkiakut Sinaj:

I nderuar Kryetar i Bashkisë, zoti Petrit Sinaj

Jemi një grup tifozësh të Tomorit por edhe qytetar beratas, të njëjtët që bënë edhe kërkesën ndaj biznesmenit Pëllumb Salillari. Në mungesë të një tifogrupi të organizuar por edhe shoqate sportive në Berat po përpiqemi ne të bëjmë këtë sipërmarrje për ekipin e futbollit tonë, Tomorin.

Së pari, na duhet të vlerësojmë punën e bërë deri tani prej jush pavarsisht vëshitërive që kenipatur, pasi Berati kërkon angazhim në disa fusha. Por po ashtu u vështirësua edhe më tepër pasi tashmë ju nën drejtimin e kësaj bashkie menaxhoni një territor shumë më të gjerë, se ai i mëparshmi. 

Së dyti, e dimë që pjesë e menaxhimit të Bashkisë është edhe skuadra e futbollit, FK Tomori. Edhe në këtë rast duam t’i vlerësojmë punët e mira dhe arritjet e bëra nga klubi nën drejtimin tuaj. Mund të përmendim rikthimin në Kategorinë e Parë duke shmangur një turp të madh të qytetit tonë, si ai i luajtjes në Kategorinë e Dytë. Po ashtu zerimi i borxheve të akumuluara prej vitesh, rikonstruksioni i pjesshëm i stadiumit dhe shtrimit të tapetit të ri edhe pse me bar jonatyral. Po ashtu është për tu vlerësuar edhe elementi vendas i përfshirë në skuadër dhe buxheti i rëndësishëm që klubi ka dhënë për sportin në përgjithësi dhe futbollin në veçanti. Por ne e dimë se në një ekonomi private dhe të tregut të lirë një skuadër me buxhet bashkie e ka të pamundur të luftoj për objektiva të mëdha përballë klubeve që kanë përzierje mes aksioneve publike e private.

Së treti, pasi mësuam buxhetin e ri për sportin dhe futbollin, si edhe lajmin e mirë që tashmë FK Tomori nuk ka më borxhe ndryshe nga sa ka funksionuar vite më parë. Ajo që na gëzoj më tepër ishte fakti se tashmë ju e kthyet Tomorin në një klub të shëndosh financiarisht dhe të gatshëm për të dalë në treg. Nxitur nga lajmërimi juaj në Këshillin Bashkiak dhe më pas në media dhe rrjetet sociale se klubi është në shitje edhe ne bëmë lëvizjen tonë. Duke dëshiruar të realizonim një ëndërr të kahershme të tifozerisë beratase për një Tomor fitues dhe që lufton për objektiva të mëdha i bëmë një kërkesë biznesmenit, Pëllumb Salillari.

Pse Pëllumb Salillari?

Pasi dëshirojmë që Tomori të ngrihet nga beratasit dhe në krye të punëve të jetë një biznesmen beratas, i cili do të ketë edhe mundësinë e bashkëpunimit direkt me Bashkinë, e cila gjithsesi do të vazhdoj të ketë aksionet e saja ashtu si e përcakton ligji. Po ashtu pamë se Pëllumb Salillari është biznesmeni më i fuqishëm beratas dhe gjithashtu një ndër 10 më të pasurit në Shqipëri. Një garanci kjo e madhe për ne por besoj edhe për ju se ai në të ardhmen do të krijoj një Tomor kompetitiv dhe fitues. Po ashtu ata që e kanë njohur nga afër e tregojnë një tifoz dhe dashamirës të sportit por edhe të Tomorit.

Së katërti, sa për tu rikujtuar pak historinë e Tomorit me të cilën besoj edhe ju njiheni në këtë vit bën 95 vjeç. Një jubilar shumë domethënës për një qytet, i cili tregon se ka historinë e vet në sportin dhe futbollin shqiptar. Le të themi një miniaturë e qytetit tonë, i cili mburret me historinë, kulturën, traditat, zejet, arkitekturën e tij dhe pse jo e njëjta krenari duhet të jetë edhe për futbollin. Berati nuk është vetëm një qytet por një krahinë e tërë, e cila ka me se të krenohet, si:  Kalaja e Beratit, lagjet muzeale, lumin Osum, qytetin e Dimalit, kodikët e Beratit,  malet e Tomorit dhe Shpiragut, parqet natyrore të Tomorit dhe Ballollit, Kanionet e Osumit, burimin e Bogovës e shumë të tjera. Një pjesë e tyre janë edhe nën menaxhmin e Bashkisë që ju drejtoni ndaj ua njihni më mirë se ne vlerat dhe potencialet. Por mes këtyre krenarive pse jo është edhe skuadra e vetme e futbollit në qytetin tonë, Tomori. Kjo skuadër përfaqëson jo vetëm tifozët e saj por edhe qytetarët beratas e pse dhe të gjithë qarkut e krahnës së Beratit. Shumë shpesh në historinë e saj ajo ka ndërruar emërtim apo edhe stemën e logon por ajo që më shumë na vret është pamundësia e të ndjerit fitues pasi nuk kemi asnjë titull kampion apo fitues të kupës. Sigurisht ajo që një tifoz dëshiron është që skuadra e tij të fitoj dhe ta bëj të krenohet me këto tituj. Këtë e duam edhe ne dhe e dimë se kjo vjen vetëm nëse ka një investim serioz nga një biznesmen për këtë arsye zgjodhëm ti bënim këtë kërkesë z. Salillari.

Në futbollin shqiptar të pas viteve ’90 shumë skuadra, të cilat nuk mund të krahasohen me traditat e Tomorit dhe që përfaqësojnë qytete, të cilat gjithashtu janë shumë larg historisë, kulturës që Berati mbart dhe e gjithë kjo vetëm falë investimeve të disa biznesmenëve lokal. Tomori pikën më të lartë të historisë së tij e ka në vitin 1999-2000 kur u shpall nënkampion(për tifozët ai mbetet një titull i vjedhur) por edhe atëherë skuadra ishte me sponsorizime private.

Së pesti dhe së fundmi të mbërrijmë te kërkesa konkrete për të cilën edhe po e bëjmë këtë letër. Ashtu, si cekëm edhe më lart pas zyrtarizimit tuaj të nxjerrjes në shitje të aksioneve të Tomorit ne i bëmë një kërkesë biznesmenit Pëllumb Salillari. Fatmirësisht edhe pas disa kontakteve të bëra ai pranoj të bëhej pjesë e kësaj sipërmmarrjeje. Po ashtu kemi mësuar edhe për mbërritjen në zyrat e klubit të kërkesës së tij se është i interesuar për blerjen e aksioneve. Tashmë shpresojmë që edhe ju të nisni punën për të bërë të mundur realizimin e kësaj ëndrre. E dimë që edhe ligji ekzistent për sportin nuk ndihmon por me dëshirën e mirë dhe bashkëpunimin korrekt që ju mund të keni me këtë biznesmen, specialist të jashtëm që do të përfshihen në këtë proçes dhe institucione të tjera që kanë detyrim ligjor për tu përfshirë të bëni të mundur të mbyllni në mënyrën më të drejtë dhe më të mirë për skuadrën, klubin e futbollit dhe për ne tifozët.

Mendoj edhe gjithë kjo do të jetë një përfitim i madh për të gjithë ne, tifozë e dashamirës sporti, për qytetin dhe qytetarët e tij. Por edhe për ju personalisht dhe institucionin që ju drejtoni. Futbolli sot është një gjenerim i madh parash por edhe një imazh po ashtu i rëndësishëm. Një Tomor fitues në Shqipëri dhe konkurrues në Evropë do të jetë një impakt I madh jo vetëm tek tifozët tanë por edhe mbështetja e gjerë që do të gjejmë kudo nga shqiptarët. Shembulli i përfitimeve në rastin e Skënderbeut me të cilin ka bërë paralalezmin z. Salillari. Ka fituar Skënderbeu por bashkë me të edhe gjithë qyteti i Korçës dhe pse jo gjithë futbolli shqiptar dhe kjo shihet tek impakti që kjo skuadër jep në futbollin tonë dhe këtë duam të arrihet edhe me Tomorin.

Për ta mbyllur që të ketë sukses ky proçes do të keni përherë mbështetjen tonë të pakursyer dhe pse jo edhe ndërmjetësimin mes palëve nëse kjo do të jetë e nevojshme.

Më poshtë po iu paraqesim edhe disa prej firmave të grumbulluara:

/Berati.TV

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re