Manipulimi përmes fotografive apo videove, është një teknikë e vjetër në disiplinën e “Marrëdhënieve me Publikun”, që përdoret gjërësisht nga politikanët.

Edhe pse e vjetruar dhe e dalë mode, ministri Arben Ahmetaj tentoi sot që përmes kësaj teknike të përçojë tek shqiptarët një tjetër profil të tijin, atë të ministrit punëtor.

Ministri i Rindërtimit ishte në Durrës bashkë me kryeministrin Edi Rama, ku inspektoi punimet për rindërtimin e shkollës 9-vjeçare dhe kopshtit ‘Njazi Mastori’ në Sukth.

Edhe pse me këmishë të bardhë dhe kostum, Ahmetaj përveshi mëngët dhe kapi lopatën dhe çekiçin për t’u dhënë një dorë punëtorëve. Një konstrast i tmerrshëm, kur krahason veshjen e tij të shtrenjtë me atë të punëtorëve dhe me profilin e punës. Dhe nuk bëhej fjalë për prerje shiriti apo një moment përurimi. “Tigri” nuk e lëshoi lopatën për disa momente, ndërsa më vonë merr edhe çekiçin për të ngulur një gozhdë.

E gjithë kjo mizanskenë që zhvillohet nën blicet e aparatëve të kujton filmat e realizmit socialist.

‘Aktori’ Arben Ahmetaj ngjante me Nertil Dulin që ishte një  nxënës çapkën, por që nuk e kishte mendjen tek shkolla, ashtu siç ministri nuk e kishte mendjen tek lopata, por tek blici.

Nertil Duli, në lëndën e mësimit “punë me dru” e ngul gozhdën  shtrembër, ndërsa mesuesi i thotë: pse ashtu ngulet gozhda o karafil?

Edhe pse Ahmetaj nuk e pasqyron rezultatin final të nguljes së gozhdës, ministri u kujtoi sot shqiptarëve nxënësin e keq Nertil Duli.

Në fund, Ahmetaj arrin ta mbyllë këtë “film” të sforcuar pa u dëmtuar. Në rrobat e tigrit nuk ka asnjë njollë betoni, ndërsa këpucët janë sërish xixë.

/shqip

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re