Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), do të sigurojë 2 vakte në ditë me ushqim të ngrohtë për rreth 20 mijë persona që kanë mbetur pa shtëpi nga zjarri në kampin në Cox’s Bazar të Bangladeshit ku qëndrojnë refugjatët muslimanë të Arakanit.

Sipas informacioneve të marra nga TIKA, mësohet se agjencia ka riaktivizuar sërish në një periudhë të shpejtë kuzhinën e saj që ndodhet në rajon dhe së bashku me Programin Botëror të Ushqimit (WFP) do të sigurojë dy vakte në ditë me ushqim të ngrohtë për rreth 20 mijë refugjatë.

Shpërndarja e ushqimit të ngrohtë nga autoritetet e Bangladeshit parashikohet se do të vazhdojë për rreth 15 ditë.

TIKA gjatë kësaj kohe duke punuar 24 orë do të vazhdojë të shpërndajë ushqim për refugjatët e Arakanit të cilët janë prekur nga zjarri.

Përfaqësuesi i Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR) për Bangladeshin, Johannes Van der Klaauw, kishte deklaruar se pas zjarrit që shpërtheu më 23 mars në kampin Balukhali në Cox’s Bazar nuk kanë asnjë informacion për 400 persona.

Drejtori Ekzekutiv i Rrjetit për të Drejtat e Njeriut të Birmanisë (BHRN), Kyaw Win, në një deklaratë për AA kishte theksuar se, nga zjarri në kamp janë shkatërruar rreth 15.000 streha, kanë humbur jetën të paktën 28 persona, ndërsa janë plagosur mbi 40 të tjerë.