Sekretari Amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, ka riafirmuar mbështetjen për unitetin e Irakut dhe ka theksuar se është pro dialogut dhe qëndrimit larg konfliktit me Administratën Rajonale Kurde (ARK).
Sipas një deklarate me shkrim nga Kryeministria e Irakut, Tillerson është takuar në Bagdad me kryeministrin irakian Haider al-Abadi.
Duke theksuar se i japin rëndësi unitetit të Irakut, Tillerson ka thënë se mbështesin kushtetueshmërinë dhe dialogun larg konfliktit me ARK-në.
Nga ana tjetër, kryeministri irakian Abadi ka thënë se prioritet i tyre është lufta kundër terrorizmit. Operacionin në Kirkuk të forcave irakiane Abadi e ka cilësuar si sigurim i sovranitetit dhe kontrollit të shtetit.
“Ne nuk duam të luftojmë me asnjë komponent. Ne kemi përçuar mesazhin se kurdët janë qytetarë të vlefshëm të Irakut”, ka thënë Abadi.
Ndërkaq, lidhur me forcat Hashdi Shabi, të cilat morën pjesë në operacionin në Kirkuk, Abadi tha se ato janë “luftëtarë irakianë” të cilët mbrojnë shtetin dhe bashkangjiten në luftën kundër terrorit.
“Hashdi Shabi është një nga institucionet zyrtare të Irakut. Kushtetuta nuk lejon prezencën e asnjë force të armatosur nga jashtë. Në duhet t’i inkurajojmë luftëtarët Hashdi Shabi që të jenë shpresë për rajonin dhe shtetin”, ka thënë Abadi.
Gjatë vizitës së tij të djeshme në Arabinë Saudite, Tillerson theksoi se forcat Hashdi Shabi janë të mbështetura nga Irani dhe duhet të dalin nga Iraku, duke nxitur reagime nga Bagdadi.
Bagdadi zyrtar doli me deklaratë në shenjë reagimi, duke theksuar se luftëtarët e forcës Hashdi Shabi janë irakianë që luftojnë për shtetin dhe popullin e tyre dhe se është nën komandën e Irakut, bazuar në ligjet e miratuara në kuvend.
Ndryshe, ushtria e Irakut, policia federale dhe forcat Hashdi Shabi të hënën e kaluar siguruan kontrollin e plotë të qytetit pasi nisën një operacion për “vendosjen e sigurisë në qytet” dhe marrjen e pikave strategjike të tij.
Operacioni në Kirkuk nga ana e forcave irakiane të sigurisë erdhi disa javë pas referendumit të jashtëligjshëm të Administratës Rajonale Kurde për shkëputje nga Iraku të mbajtur më 25 shtator, i cili po ashtu u zhvillua edhe në disa zona të kontestuara, përfshirë Kirkukun. aa

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re