Studimet e reja kanë zbuluar marrëdhënien midis tinitusit dhe funksionit mendor dhe “ndërhyrjes” që shkakton në kujtesë dhe përqendrim.

Një gumëzhitje e vazhdueshme në vesh, një fishkëllimë që të ndjek kudo dhe nuk të lë të qetë. Kushdo që ka përjetuar tinitusin e di se sa bezdisës dhe dobësues mund të jetë. Kjo simptomë në dukje “e pafajshme”, që shpesh neglizhohet si një bezdi e përkohshme, mund të fshehë një ndikim shumë më kompleks: lidhjen e saj me funksionin njohës, domethënë me aftësinë e trurit për të përpunuar, kujtuar dhe për t’u përqendruar.

Lidhja mes tinitusit dhe funksionit mendor

Një studim i fundit, i publikuar në revistën Frontiers in Neurology, shqyrtoi marrëdhënien mes tinitusit dhe funksioneve njohëse. Studiuesit nga Instituti i Mjekësisë Tradicionale Kineze në Universitetin Heilongjiang në Kinë, të udhëhequr nga Jianli Wu, analizuan të dhënat nga Sondazhi Kombëtar i Ekzaminimit të Shëndetit dhe Ushqyerjes (NHANES) për të hetuar këtë lidhje.

Në studim u përfshinë 684 persona, të cilët plotësuan pyetësorë rreth përjetimit të tinitusit dhe morën pjesë në disa teste të funksionit njohës. Këto teste përfshinin:

  • Mësimin e Fjalëve (Word Learning Test) – për të vlerësuar kujtesën.

  • Testin e Aftësisë së Logjikës Dinamike (AFT) – për të matur funksionin ekzekutiv dhe përqendrimin.

  • Testin e Zëvendësimit të Simbolit me Shifra (DSST) – për të vlerësuar shpejtësinë dhe saktësinë e të menduarit.

Sipas rezultateve, pjesëmarrësit me tinitus performuan ndjeshëm më dobët në të gjitha testet krahasuar me grupin kontrollues, pra personat që nuk përjetonin tinitus.

Ndikimi në përqendrim dhe kujtesë

Nëse tinitusin e përjetoni çdo ditë, e dini që kjo gjendje nuk kufizohet vetëm në veshët tuaj. Ajo ndikon drejtpërdrejt në aftësinë për t’u përqendruar, për të mbajtur mend apo për të përpunuar informacion me lehtësi. Kur mendja është e zënë duke “dëgjuar” zhurmën e pandërprerë, edhe detyrat më të thjeshta – si leximi apo drejtimi i makinës – mund të bëhen sfiduese.

Studiuesit theksuan se kjo lidhje mes tinitusit dhe rënies së performancës njohëse mbeti e qëndrueshme edhe pas përshtatjes për faktorë të tjerë si mosha, gjinia apo kushtet e tjera shëndetësore. Kjo e bën lidhjen edhe më të besueshme dhe alarmante.

  • Sipas përfundimeve të autorëve  thuhet se :“Gjetëm një lidhje të rëndësishme mes tinitusit dhe uljes së funksionit njohës, që përputhet me kërkime të mëparshme dhe tregon se tinitusi është i lidhur ngushtë me mosfunksionimin njohës.”

Përshtati në Shqip S

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re