Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj,  ndodhet në Taranto të Italisë ku është takuar me kreun e Bashkisë Rinaldo Melucci, me të cilin kanë nënshkruar një dokument mirëkuptimi i cili do të çojë dy qytetet drejt një marrëveshje binjakëzimi.

 

Dy kryebashkiakët zyrtarizuan këtë rrugëtim, i cili tashmë ka kaluar nëpër disa etapa, siç është pjesëmarrja e përbashkët në Eurocities, apo sa i përket pritshmërive që ofrojnë Lojërat Mesdhetare.

 

RINALDO MELUCCI

 

KRYETAR I BASHKISE SE TARANTOS 

 

Kemi shumë gjëra të përbashkëta, ndaj dhe duam që këto lidhje ndërmjet Puglias dhe Shqipërisë të forcohen edhe më tej, me kompanitë tona, me të rinjtë tanë, të cilët do të dinë ndoshta të na çojnë drejt një objektivi të përbashkët në 2026 dhe Lojërave Mesdhetare të Tarantos. Ndaj, jemi krenarë të mirëpresim kryetarin e Bashkisë së Tiranës dhe të mund të ndërtojmë së bashku me të, një rrugëtim që do të na çojë larg.

 

Ndërsa kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u shpreh se fakti që në Puglia jetojnë mijëra shqiptarë dhe anasjelltas, i  bën dy qytetet mjaft të lidhura.

 

“Në qytetin tim janë 25 mijë italianë që punojnë dhe jetojnë me ne. Përgjatë 30 viteve kemi bërë hapa të mëdhenj. Ishim pothuajse Koreja e Veriut e Europës dhe tani jemi një komb në zhvillim dhe kjo edhe me mbështetjen e vendeve mike, siç është Italia, sepse është komplet gjë tjetër të kesh fqinj që të sulmojnë..”

 

Ai shtoi se marrëveshja që u nënshkrua dhe binjakëzimi dëshmon se njerëzimi është lidhja më e rëndësishme nga të gjitha.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re