Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizime të Tiranës është duke punuar për rehabilitimin dhe përmirësimin e sistemit të furnizimit me ujë të qytetarëve të Tiranës. Për këtë arsye, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në një takim përfaqësuesin e kontraktorit gjerman CES Consulting Engineers, Karl Philip Khugin, me të cilin nënshkroi një marrëveshje për realizimin e dy projekteve të rëndësishme për furnizimin me ujë dhe rrjetin e shpërndarjes së ujësjellësit që financohen nga SwedFund.

 

“Projekti i parë ka të bëjë me unazën e presionit. Ne kemi sjellë një linjë direkt nga Bovilla, pra është shtuar prurja në Tiranë. Kemi zgjeruar gjithashtu impiantin tonë të filtrimit, por na duhet një unazë e presionit që të mos kemi disa zona me ujë 24 orë, ndërsa në disa të tjera përdorim të pompave për katet më të larta. Unaza e presionit mundëson që i gjithë qyteti të ketë të njëjtin presion, për t’u siguruar që furnizimi të jetë i njëtrajtshëm”, sqaroi Veliaj.

 

Projekti i dytë për të cilin foli kryebashkiaku ka të bëjë me një tjetër burim uji në Tiranë. Veliaj nënvizoi faktin se tashmë një pjesë e mirë e Tiranës furnizohet 24 orë me ujë dhe shtoi se shumë shpejt i gjithë kryeqyteti do të ketë ujë pa ndërprerje.

 

“Projekti tjetër shumë i rëndësishëm për të cilin kemi nevojë për këtë fizibilitet është ai i një burimi të ri uji për Tiranën, burimi i Gurit të Bardhë. Pra, përveç burimit të Selitës, Shën Mërisë dhe Bovillës do të duhet të mendojmë për Tiranën e viteve 2030, 2040 dhe 2050 dhe për këtë duhet të fillojmë punë tani”, theksoi ai.

 

Përfaqësuesi i CES Consulting Engineers, Karl Philip Khugin, falenderoi kryetarin e Bashkisë së Tiranës për besimin, teksa shtoi se nga këto dy projekte përfitojnë banorët e kryeqytetit.

 

“Ndihemi të nderuar që jemi pjesë e këtij projekti sfidues dhe absolutisht shumë të nevojshëm për të shtuar volumin dhe cilësinë e furnizimit me ujë në vitet e ardhshme. Jemi shumë krenarë të marrim përsipër këtë sfidë dhe do të bëjmë më të mirën që mundemi”, tha Karl Philip Khugin.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re