Tirana ka mirëpritur kryetarët e bashkive të Ballkanit në Forumin Urban të B-40. Gjatë fjalës së tij, në Forumin Urban të Tiranës, kyebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj u shpreh se fokus janë fëmijët, duke shtuar se ata janë 100% e ardhmja.

Ai nënvizoi se Tirana i ka kushtuar një vëmendje të posaçme të rinjve dhe fëmijëve në politikat e saj.

“Ne jemi fokusuar te fëmijët sepse ata janë 100% e ardhmja”, tha Veliaj, duke shtuar se: “Unë jam rritur në këtë qytet, kur kishte vetëm 200 mijë banorë dhe të gjithë ishin shqiptarë. Sot është një qytet ku vijnë me mijëra turistë çdo muaj. Vendet mund të ndryshojnë, qytetet mund të ndryshojnë, dhe nga një vend i izoluar, me një regjim që i shkatërroi të gjitha, sot jemi një vend i hapur, ku na vizitojnë kaq shumë miq nga e gjithë bota”.

Në fjalën e tij, kryetari i Bashkisë së Stambollit, Ekrem Imamoglu, e cilësoi Tiranën si një shembull të bashkëpunimit rajonal.

“Jam tej mase i lumtur që jam këtu sot me ju, teksa mbyllim mandatin e suksesshëm të Tiranës si Presidente e rrjetit tonë të qyteteve ballkanike B-40. Nën lidershipin e kryetarit të bashkisë, vëllait tim, Erion Veliaj, i cili mori frerët e drejtimit në fillim të vitit 2024, B-40 është bërë pikërisht një shembull ndriçues i bashkëpunimit në Ballkan dhe më tej. Falë lidershipit të tij vizionar, Tirana është rritur në mënyrë të qendrueshme, duke çimentuar pozicionin e saj si një hub ndërkombëtar i kulturës dhe inovacionit, dhe një fuqi prodhuese për rrjetin B-40 dhe rajonin. Forumi Urban i Tiranës është një dëshmi e këtij vizioni”, tha Imamoglu.

Kryetarët e bashkive dhe përfaqësuesit e qeverive lokale ndanë përvojat e tyre për sfidat dhe inovacionet që lidhen me zhvillimin urban.

Ky forum shënon një moment të rëndësishëm për Tiranën, e cila mbajti përgjatë 2024 presidencën e saj në rrjetin B-40, duke treguar se bashkëpunimi rajonal është çelësi për të ardhmen e qëndrueshme të qyteteve të Ballkanit.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re