Skip to content

Tirana mirëpret “Survivor Games”

Përveç shtimit të hapësirave të gjelbra, liqeni artificial në Tiranë është kthyer në një vend të rëndësishëm për aktivitet sportive. Për herë të parë në kodrat e liqenit u zhvillua kampionati “Survivor Games”, një event që promovon jetesën aktive në natyrë me pjesëmarrjen 16 skuadrave. I pranishëm në nisjen e kampionatit ishte edhe kryetari i bashkisë së Tiranës, i cili tha se ky park tashmë është kthyer në një alternative mjaft të mirë për shumë të rinj.
 
“Kush është rritur në Tiranë, e mban mend se kjo hapësirë ka qenë një pellgaçe e madhe, një gjysmë kënete. U bënë protestat për këndin e lodrave dhe ja ku jemi sot. Kushdo që merr vendime të drejta ndihet i shpërblyer kur shikon që këto vendime ia kanë bërë jetën më të lehtë, ndoshta edhe më të mirë, komunitetit, duke i dhënë një alternativë tjetër të rinjve”, tha Veliaj.
 
Veliaj theksoi se përmirësimi i infrastrukturës gjatë viti 2017 uli numrin e kafeneve dhe basteve në kryeqytet.
 
“Me statistikat e bizneseve të bashkisë, ishte hera e parë që ra numri i kafeneve të reja, i basteve dhe i bingove, dhe u shtua numri i palestrave, i bibliotekave, i këndeve të lodrave dhe i terreneve sportive. Për t’u bërë europianë, e paskemi vetë në dorë, mjafton të marrim vendime si europianë, të sillemi si europianë, të ushtrohemi si europianë, të rilidhemi me natyrën dhe me njëri-tjetrin”, shtoi ai.
 
I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe deputeti socialist, Eduard Shalsi, i cili tha se kryeqyteti është një model që duhet të ndiqet në të gjithë Shqipërinë.