Tirana është përzgjedhur si qyteti model i zhvillimit në Forumin vjetor të arkitektëve dhe urbanistëve gjermanë, organizuar nga Ministria e Zhvillimit Urban të Bavarisë dhe qyteti i Mynihut. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, zhvilloi një vizitë një ditore në Mynih, si i ftuar në Forumin vjetor për Qytetet dhe Ardhmërinë, ku prezantoi transformimin që ka pësuar Tirana dhe projektet strategjike për të ardhmen.
 
 “Jam shumë krenar për Tiranën! Jemi përzgjedhur si një qytet model, kësaj here në forumin vjetor të arkitekturës gjermane organizuar nga Ministria e Zhvillimit Urban të Bavarisë dhe nga qyteti i Mynihut. Jam shumë krenar sepse jo vetëm Bashkia ka bërë punën që duhet të bëjë, por një pjesë e madhe e sukseseve tona i kushtohet qytetarëve të Tiranës. Janë ata që kanë inkurajuar ditët pa makina, që po kthejnë zonat pedonale, që po mbjellin pemë, që po e mbajnë pastër qytetin. Historia e vërtetë e suksesit të Tiranës është se çdo qytetar e ndjen që është pjesë e familjes së Tiranës dhe kujdeset për mbarëvajtjen e punëve.”
 
Veliaj siguroi se edhe këtë vit Bashkia e Tiranës ka planifikuar një sërë investimesh të rëndësishme, si ndërtimi i shkollave të reja, transformimi i Piramidës dhe i mjaft zonave të reja të qytetit, të cilat gjatë këtyre viteve kanë njohur zhvillim, por jo urbanizim.
 
“Edhe këtë vit do të vazhdojmë të nxisim shumë prej projekteve që tashmë i kemi nisur, siç janë shkollat e reja, Piramida, ndërtesa të tjera me funksion publik, më shumë fokus në zonat e reja të Tiranës, si zona e Kasharit, zona e Unazës së Re, zona e Freskut pranë Dajtit, apo zona e Selitës. Kthehemi të inkurajuar nga fakti se Tirana po merr vlerësime, që në një kohë të shkurtër ka bërë një kapërcim gjigant, për të vazhduar projektet që kemi nisur.”
 
Kryebashkiaku falenderuar edhe qytetarët për mbështetjen që i kanë dhënë gjatë këtyre 3 viteve në zbatimin e një sërë projektesh të rëndësishme, siç është  fushata për mbjelljen e 100 mijë pemëve të reja deri më 21 mars.
 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re