Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj inicioi emërtimin e një rruge me emrin e një prej ikonave të gazetarisë shqiptare të pas 90-ës, Fatos Baxhaku, ndarë nga jeta pak vite më parë.

Këtë moment, Veliaj e shfrytëzoi për të goditur atë pjesë të gazetarisë aktuale që është në armiqësi me të e të cilën e quan “gjobaxhie”.

“Kemi një propozim nga shoqata ‘Art impuls’ për të emërtuar një rrugë me emrin e Fatos Baxhaku, gazetar dhe publicist, një personalitet i rrallë.

Kur flas për Andrea Stefanin, emrin e të cilit ia kemi vënë shkollës që po ndërtojmë te ‘Shqiponja’, dhe sot për Fatos Baxhakun, më kujtohet gjenerata e gazetarëve që nuk vinin gjoba, që nuk punonin me dy border, një në televizion dhe një tek partiçkat private të Tiranës, gazetarë që nuk hapnin portale për të kërkuar lekë në këmbim të heqjes së lajmeve të rreme, gazetarë që nuk merreshin me ‘jeta është gallatë’, lapsi dhe stilolapsi, as nuk shpifnin, as shkruanin fake news. Një gjeneratë që duket si specie në zhdukje.

Ndonjëherë, mirë thonë, ‘Zoti merr më të mirët’. Kur nderojmë Fatos Baxhakun, nderojmë plejadën, gjeneratën e më të mirëve të gazetarisë shqiptare dhe jo gjobaxhinjtë”, tha Veliaj. /tesheshi.com/

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re