Tirana bëri bashkë profesionistë të ekonomisë krijuese nga Mbretëria e Bashkuar, Ballkani Perëndimor dhe Shqipëria, për të diskutuar mbi fushën e filmit, muzikës, teknologjisë, arkitekturë apo arteve pamore.

“Unë besoj se edhe te kjo fushë, te fusha e kreativitetit, që nuk është vetëm arti dhe kultura, është edhe fashion, është edhe start-up-i e gjithë kultura e biznesit digjital, ne do kemi mundësi të mësojmë nga më të mirët. Unë besoj se duhet të fusim pak kulturën e sipërmarrjes, si t’i kontabilizojmë disa nga këto gjëra, si mundet që një produkt mos të shihet vetëm nga 100 apo 1000 vetë, por si mund të kontabilizojmë që e gjithë shoqëria të përfshihet në një marrëdhënie financiare dhe kontributi”, tha Veliaj.

Erion Veliaj u shpreh se Tirana ka çdo mundësi që të kthehet në një qytet të punëve digjitale, falë edhe fondeve që vihen në dispozicion.

“Bashkia e Tiranës ka sërish buxhetin më të madh që ka pasur në histori. Çdo vit kemi më shumë se viti tjetër për industrinë rekreative, për art e kulturë, për teatër e për shumë prej jush organizohen eventet më fantastike në këtë qytet e mezi pres që të shtohen edhe të tjerë. Do doja që ky vit të ishte një vit stuhi idesh, se çfarë mund të bëjmë të gjithë bashkë për vitin tjetër, kur Tirana është Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut. Unë besoj që nëse ne mund ta kthejmë Tiranën nga qyteti i këpucëve, në një qytet të turizmit dhe të digjitalizimit, është vetëm çështje kohe që Tirana, siç ishte Kryeqytet i Rinisë e i Sportit, të jetë gjithashtu një qytet i punëve digjitale e të së ardhmes”, tha Veliaj.

Në ambientet e Piramidës, u nënshkrua dhe një memorandum mirëkuptimi ndërmjet Bashkisë së Tiranës dhe British Council, ku shprehet angazhimi për të punuar së bashku në tre vitet në vijim për hartimin e një Strategjie Zhvillimi për ekonominë kreative. /

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re