12 vite më parë, një incident do t’i kushtonte shumëçka 35 vjeçarit nga Kroacia. Slaven Shkrobit mbeti i paralizuar dhe që nga ajo ditë, vendosi të udhëtojë nëpër botë, jo me avion, por me biçikletën e tij të pazakontë.

“Prej 12 vitesh unë jam tetraplagjik pasi u hodha nga shkëmbi në det dhe rashë sipër një shoku tim i cili ishte duke u zhytur . Kalova një vit në rehabilitim dhe gjatë kësaj kohë po mendoja për diçka që kisha dëshirë të bëja dhe kështu vendosa të udhëtoja. Fillimisht udhëtova nëpër Europë më pas po kërkoja diçka më ekzotike si Maroku e më pas përfundova në Australi.”,tregon i riu në intervistë për Top Channel.

Këto ditë ai ndodhet në Tiranë. Thotë se e ka një mision që ia ka vendosur vetes, të japë shembullin se edhe ata njerëz që kanë patur fatkeqësinë të jenë me aftësi të kufizuara, mund të jetojnë një jetë larg paragjykimeve, një jetë normale si të gjithë të tjerët. Slaven thotë se kërkon të dhurojë biçikleta për njerëz me aftësi të kufizuara.

“Misioni im është që të jetoj në maksimum jetën, t’u mësoj njerëzve si unë se edhe ata mund ta shijojnë jetën e tyre.

Unë udhëtoj me këtë biçikletë që përdor forcën e duarve. E bleva pasi ishin ndjekësit e mi ata që mblodhën paratë.

Tani jam unë duke mbledhur para që të dhuroj disa biçikleta të tilla, për t’ja dhënë njerëzve si unë… e di shumë sesa liri e pavarësi mund të japë një mjet i tillë”-përfundon fjalën e tij i riu.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re