Pak ditë më parë në rrjetin social e media u publikua historia e një gjesti qytetar, bërë nga një i ri i cili i dorëzoi të zotit një sasi të madhe parash që i kishte gjetur në një prej rrugëve kryesore të Tiranës.

Seldi Sulejmani, me profesion financier, kishte tërhequr nga banka një sasi prej 350 mijë lekësh të vjetra, para të punës që do të duhej të shërbenin për disa pagesa. Rrugës për në punë aksidentalisht të riut i humbën paratë. Arens Bregu, me profesion agjent imobiliar, ishte personi i cili i gjeti. Ndryshe nga shumëkush, Arensi vendosi të gjejë të zotin e parave.

Seldi dhe Arensi

Më poshtë po sjellim rrëfimet e dy të rinjve, që treguan sesi ndodhi ngjarja.

“Ishte një çështje sekondi. Ndodhi me 31 mars, e theksoj ditën sepse për ne ekonomistët është një ditë e ngarkuar. Para se të shkoja në zyrë, shkova në bankomat për tërhequr këtë shumë parash për të bërë disa pagesa periodike.

Pasi tërhoqa atë shumë, i vendosa në xhepin e përparmë të xhupit, atje ku mbaj dhe celularin. Duke shkuar për në punë me biçikletë, përshkrova rrugën e kur iu afrova “21-shit” më mori një koleg në telefon. Në atë moment më kanë rënë paratë, kur kam nxjerrë celularin. Pas nja 2 minutash, e kuptova që paratë më kishin rënë.

Po tani thashë me vete…u mundova ta qetësoj veten dhe u ktheva të kontrolloj dhe njëherë rrugën. E përshkrova rrugën e Kavajës, tek pista e biçikletave. Ishte ditë me erë e mendova kushedi do të jenë përhapur e do jenë marrë.”-tregoi Seldi, në një intervistë për abc.

Ndërkohë Arensi, personi i cili i gjeti paratë dhe i ktheu, tregoi se rastësisht i pa lekët teksa shkonte tek nëna.

“Duke qenë se ishte një shumë e konsiderueshme, mendova të futem e ta kërkoj personin. Bëra një lidhje me JOQ duke u treguar se kam gjetur një shumë parash. Më kthyen përgjigje duke më thënë “mos keni gjetur një shumë 350 mijë lekë?”. U habita kur më treguan saktë shumën pasi unë nuk i kisha treguar.

Unë isha tek dyqani i nënës dhe tek 21-shi kam dyqanin e nënës. Pashë se tek korsia e biçikletave tek rruga e Kavajës kishte disa 50-tëshe që po fluturonin aty.

Arsyeja pse nuk i mbajta ishte sepse ishte një shumë e konsiderueshme. Ajo që nuk është e jotja, s’mund të bëhet e jotja. Kur i pashë, mendova, mund të jetë ndonjë rrogë e si mund t’i marrësh dikujt rrogën. Aq para nuk do të ngrenë, ajo që s’është e jotja, s’është e jotja. Është rrisk nga Zoti, e madje unë JOQ-së i tregova se nëse nuk gjendet pronari, do t’i çoja për bamirësi se fundja jemi në Ramazan.”-tregoi Arensi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re