Për Lëvizjen Socialiste për Integrim masat kufizuese të  vendosura nga Komiteti i Ekspertëve janë masa shtrënguese politike dhe elektorale.

Në një dalje për mediat, nënkryetari, Petrit Vasili thotë se këto masa deri tani nuk kanë dhënë asnjë efekt pozitiv.

Qytetarët, tha ai, nuk kanë nevojë për fjalë boshe, por për veprime konkrete duke i ndihmuar, pasi janë lënë në harresë nga qeveria.

“Qytetarët nuk kanë nevojë për fjalë boshe, si ato që dëgjuan edhe pak minuta më parë, dhe njëkohësisht nuk kanë nevojë më për masa shtrënguese apo kufizime qartësisht politike dhe elektorale. Janë masa shtrënguese politike dhe elektorale, pasi efekti i tyre ka qenë pothuajse zero.

Shqipëria është një vend ku shifrat e pandemisë kanë njohur vetëm rritje dhe nuk kanë pasur kurrë, ashtu sikurse gjithë vendet e tjera, të cilat kanë marrë masa të zgjuara, shkencore, të koordinuara, pra jo vetëm mbyllje, por të gjithë masat e tjera, bazuar në trinomin testim – gjurmim – trajtim dhe masa të tjera suplementare shumë të rëndësishme, të cilat kanë dhënë efekt.

E kundërta ka ndodhur në Shqipëri, sepse Shqipëria, për shkak të qeverisjes dhe për shkak të një kryeministri të paaftë e të pashpirt, ka aplikuar vetëm shtrëngime pa asnjë kuptim, pa asnjë vlerë, faktet e të cilave flasin vetë”, tha Vasili.

Sipas Vasilit, ndryshe nga sa thotë qeveria se situata është nën kontroll, Shqipëria ka shënuar në shtatë ditët e fundit mesataren javore më të lartë të vdekjeve. Sipas tij, opozita do të vazhdojë të bëjë detyrën për të ndihmuar qytetarët.

“Opozita do vazhdojë ta bëjë detyrën e saj pa u lodhur, duke treguar se cila është rruga e drejtë se ku duhet të ecë trajtimi i pandemisë, qoftë në pikëpamjen mjekësore dhe pandemike.  Njëherazi të gjithë shqiptarët e kanë të qartë që njeriu që i la vetëm ishte Edi Rama.

I la vetëm shqiptarët në ditën e tyre më të vështirë. Ne jemi këtu për të bërë detyrën tonë, nuk do të lodhemi, por besoj se përgjigjen përfundimtare këtyre njerëzve që mendojnë vetëm për xhepat e tyre, oligarkët, klientët, kjo përgjigje do të merret në 25 prill.  

Presioni ynë do të jetë i përditshëm për të shërbyer me sa të mundemi jetës së shqiptarëve dhe shpëtimit me sa të mundemi nëpërmjet këtij presioni politik dhe të atyre plagëve ekonomike shumë të thella që po krijohen në mënyrë të përditshme”, tha Vasili.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re