Skip to content

Tjetër aksident hekurudhor në Spanjë, një i vdekur dhe 37 të plagosur


Një tjetër aksident hekurudhor ka ndodhur mbrëmjen e së martës ku humbi jetën shoferi i trenit dhe u plagosën 37 pasagjerë, katër prej të cilëve u plagosën rëndë.

Aksidenti ndodhi në një tren udhëtarësh midis qyteteve Sant Sadurní d’Anoia dhe Gelida, rreth 40 kilometra nga Barcelona ku e gjithë Katalonja është përfshirë nga shira të rrëmbyeshëm.

Aksidenti ndodhi dy ditë pas përplasjes mes dy trenave në Kordoba, në jug të Spanjës, për arsye ende të panjohura, e cila shkaktoi vdekjen e mbi 40 personave.

Claudi Gallardo, kreu i ndërhyrjes së Departamentit të Zjarrfikësve të Generalitat, tha për mediat se muri mbajtës u shemb rreth orës 21:00 ndoshta për shkak të reshjeve të fundit.

Muri ra mbi vagonin e parë të trenit të udhëtarëve, duke e deformuar atë dhe bllokuar brenda shumicën e pasagjerëve.

Shoferi i trenit vdiq në aksident dhe 37 pasagjerë u trajtuan nga ekipet e urgjencës mjekësore.

Sistemi i Emergjencave Mjekësore (SEM) dërgoi 20 ambulanca në zonë për të evakuuar të plagosurit në spitalet Moisès Broggi, Bellvitge dhe Vilafranca.