Arben Ahmetaj është rimarrë i pandehur nga Prokuroria e Posaçme në cilësinë e ish-ministrit të Financave, pasi dyshohet se ka shpërdoruar detyrën me privatizimin e një fabrike buke te zona e “5 majit”.

 

Përmes firmosjes së privatizimit të këtij objekti, ish-ministri dyshohet se i ka shkaktuar ish-pronarëve të kësaj toke një dëm prej 7 miliardë lekësh ose 66 milionë euro.  Hetimet për ish-numrin dy të qeverisë për këtë vepër penale kanë filluar pas kallëzimit të bërë nga familja Myderizi në vitin 2018, e cila është viktimë në këtë proces, si trashëgimtare e pronës së paluajtshme.

 

Përmes këtij veprimi, Arben Ahmetaj lejoi që te prona e kësaj familjeje të ndërtohet një kompleks pallatesh. Ndërkohë nuk ka vonuar reagimi i ish numrit dy të qeverisë, i cili akuzën e re të SPAK e konsideron në vazhdën e një sulmi të organizuar ndaj tij.

 

ARBEN AHMETAJ

ISH-MINISTRI I FINANCAVE

 

Nuk habitem më nga asgjë. Që nga “faktet” e fabrikuara nga inceneratorët se kam harxhuar kaq e aq në këtë e atë kazino, apo ku di unë, deri tek përndjekja familjare dhe inkuizitive që më bëhet. Vrulli politik i SPAK s’besoj t’i ketë shpëtuar syrit të publikut. Përndjekja ekzemplare e stilit të vjetër, ngarkuar me urrejtje personale të përfolur dhe nëpër tryeza politiko-drejtësie, përtej fakteve, i ka kaluar dhe imagjinatat e filmave horror. Goditja politiko-juridike ndaj meje duket sikur është kthyer në një sport juridiko-statistikor pa cilësi.

 

Për pasurinë në fjalë, Gjykata e Tiranës i kërkoi prokurorisë të vijonte hetimet pasi e pa të dyshimtë firmën e ish-ministrit, por prokuroria pushoi hetimet. Me krijimin e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, familja Myderizi e kallëzoi Ahmetajn sërish në SPAK, ku pas hetimeve prokurori Elvin Goku i kërkon gjykatës marrjen e tij të pandehur.

 

Po ashtu, Prokuroria e Posaçme ka veçuar çështjen edhe për zyrtarë të tjerë që mund të jenë të përfshirë, bashkë me pronarin e kompleksit të ndërtuar te ish-fabrika e bukës.

 

Aktualisht, ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj është në kërkim ndërkombëtar për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie me inceneratorin e Elbasanit. Me akuzën e shpërdorimit të detyrës, pozita e tij përballë drejtësisë rëndohet edhe më tepër.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re