Kandidati i pavarur në qarkun e Gjirokastrës Kreshnik Merxhani, i mbështetur nga Vetëvendosje denoncoi të hënën procesin e numërimit. Ai tha se po tjetërsohet vullneti i qytetarëve dhe e cilësoi procesin e numërimit si partiak.

“Mbi 1000 vota të pavlefshme në qarkun Gjirokastër, nuk janë rastësisht.

Në video duket qartësisht se si ky mekanizëm 30-të vjeçar minon demokracinë dhe tjetërson vullnetin e votuesve”, tha ai duke postuar një video nga qendra e votimit.

Ai tha se në qytetin e Tepelenës, në Pallatin e Kulturës Tepelenë, saktësisht KZAZ Nr.79, në orën 06:51, datë 26.04.2021, konstatuam se numëruesit pa u penguar nga askush dhe haptazi, pasi shumica e vëzhguesve lanë qendrën e numërimit pasi ju komunikua se u mbyll procesi, një tjetër proces nisi paralelisht ai i falsifikimit të fletëve të votimit.

“Vëzhguesit tanë, filmuan dhe dokumentuan atë proces që kolegët në Tiranë e kanë deklaruar publikisht. Njësojë si kanë vepruar në Tiranë, dhe në qarkun Gjirokastër fenomeni është i njëjtë”, tha ai.

Merxhani deklaroi se kjo është një nga mënyrat se si po vjedhin dhe deformojnë votën.

“Aty ku qytetari ka vendosur një “X” poshtë nr. 13 në fletën e votimit pranë emrit tim, te i njëjti fletëvotim kanë vendosur edhe një “X” tjetër te një prej subjekteve apo kandidatëve të çfarëdo force tjetër, duke e shpallur të pavlefshme fletën e votimit ose duke e deklaruar ndryshe”, sqaroi ai. Merxhani tha se do të ndjek çështjen penalisht.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re