Eshtë jashtëzakonisht e vështirë që koronavirusi të ketë  filluar pas incidentit në një laborator në Kinë, thanë hetuesit në Wuhan duke u përpjekur të hedhin dritë mbi origjinën e COVID-19.

Hetuesit besojnë se shkaku më i mundshëm i shpërthimit fillestar të infeksionit është një virus që “kërceu” nga një kafshë tek një njeri.

Kjo do të thotë që hetimet e ardhshme nuk do të përqendrohen në incidentin laboratorik si një shkak i mundshëm i shpërthimit të infeksionit të koronavirusit.

Një ekip ndërkombëtar i shkencëtarëve nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, të cilët janë duke punuar me ekspertë kinezë, janë përpjekur të zbulojnë për disa kohë se si filloi pandemia e koronavirusit.

Një ekip hetuesish vizituan vendet kyçe në Wuhan, qyteti kinez ku u raportuan rastet e para të infeksionit, ku ata folën me pacientë, profesionistë të kujdesit shëndetësor dhe shkencëtarë kinezë.

Dëshmitë e deritanishme kanë sugjeruar që koronavirusi “u hodh” nga kafshët tek njerëzit dhe një ekip hetuesish të udhëhequr nga Peter Ben Embarek, një ekspert i OBSH-së për sigurinë e ushqimit dhe sëmundjet e kafshëve, i tha një konference shtypi se ata ishin ende të pasigurt për llojet e kafshëve transmetuese dhe ku ndodhi saktësisht kjo.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re