Pas gjestit të presidentes së re maqedonise Gordana Silianovska, e cila në aktin e betimit përmendi emrin e vendit të saj si “Maedoni”, pa specifikimin gjeografik “e Veriut”, është dhe kryeministri i sapobetuar i vendit, Christian Mickoski, që po ecën në të njëjtën udhë sfidimi të Marrëveshjes së Prespës me Greqinë, nga qeveria e kaluar.

Në një mesazh për Athinën e zemëruar, ai i bëri thirrje Greqisë që të ndalojë sulmet – siç i cilësoi ai – kundër vendit të tij dhe nëse ka ndonjë problem, të shkojë në gjykatën e Hagës.

“Ne presim të kemi marrëdhënie të mira dhe të shkëlqyera fqinjësore. Vlerësoj që VMRO-ja dhe qeveria atje e udhëhequr nga Demokracia e Re kanë qëndrimin e tyre për Marrëveshjen e Prespës. Askush prej nesh nuk e pëlqen këtë marrëveshje”, ka komentuar Mickoski, duke e cilësuar si “të drejtën e tij themelore njerëzore” që ta quajë vendin e tij si të dojë në diskursin publik dhe në media.

“Ne nuk kemi shkelje të Marrëveshjes së Prespës dhe shfrytëzoj rastin për t’u thënë miqve tanë nga Greqia që të ndalojnë kërcënimet. Le të shikojmë nga e ardhmja. Nëse ata mendojnë se ne kemi shkelur marrëveshjen, atëherë ekziston një Gjykatë Ndërkombëtare e Drejtësisë, kështu që ne mund të flasim atje. Nuk do të doja të ndodhte kjo, ndaj bëj thirrje që të kemi marrëdhënie miqësore, të ndihmojmë njëri-tjetrin. Dhe nëse dikush pret që VMRO të përsërisë gabimet e së kaluarës, të jeni të sigurt se ne nuk do ta bëjmë këtë”, ka shtuar më pas Mickoski.

“Ne duam bashkëpunim ekonomik dhe shfrytëzoj rastin të ftoj kompanitë greke të investojnë në vendin tim, duam t’i mirëpresim ato si dhe kompanitë tona të investojnë në Greqi, kështu duhet të punojnë partnerët së bashku. Ne duam marrëdhënie të mira fqinjësore dhe pres që së shpejti të takohem me kryeministrin grek dhe të diskutojmë për bashkëpunim në turizëm, ekonomi, arsim e kështu me radhë”, përfundoi Mickoski.

Në ndërkohë, ministri i Jashtëm grek, Giorgos Gerapetritis, i dërgoi një mesazh të ri Shkupit, duke thënë se “nuk ka vend për asnjë lëshim”.

“Greqia do të monitorojë rreptësisht situatën në Maqedoninë e Veriut. Me të vërtetë kërkojmë nga qeveria dhe presidenti i Maqedonisë së Veriut që të zbatojnë me besnikëri Marrëveshjen e Prespës. Jemi shumë të lumtur të diskutojmë më tej. Por, siç thashë, lëshimet ndaj bazave nuk mund të tolerohen”.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re