VALENTINA MADANI/ Deputetët e opozitës do të rimblidhen sërish, por këtë herë në Kukës. Deputetët demokratë në mbështetje të ishkryeministrit Sali Berisha dhe Gazment Bardhit do të mbajnë takimin e radhës mes tyre ditën e martë.

Takimi do të mbahet në qytetin e Kukësit, në kuadër të fushatës zgjedhore për zgjedhjet që do të përsëriten në këtë bashki, sipas News24. Ndërkohë pritet që tryeza e deputetëve të opozitës të zhvillohet në orën 12:00, ndërsa vendi nuk është caktuar ende.

Kujtojmë që deputetët e grupit parlamentar të Partisë Demokratike kanë vendosur të bashkohen, duke unifikuar aksionin e tyre parlamentar dhe politik, pas më shumë se dy vitesh përplasje mes njëri-tjetrit. Në këto takime, të cilat tashme janë bërë të shpeshta nuk marrin pjesë deputetët që mbështesin Lulzim Bashën.

TENSIONET

Tensionet mes demokratëve përveçse në Parlament janë zhvendosur edhe në rrjetet sociale apo në grupet e komunikimit. Një akt sa i parëndësishëm aq edhe i panevojshëm ka ndodhur sot me Grupin Parlamentar të PD.

Lulzim Basha duket se ka urdhëruar sekretarin Endri Hasa që të fshijë mesazhin e Gazment Bardhit, që njoftonte deputetët në grupin e “WhatsApp”-it të Grupit Parlamentar për mbledhjen e radhës të grupit, të martën në orën 12:00. Endri Hasa, jo vetëm ka fshirë mesazhin, por dhe i ka hequr të drejtën deputetëve të shkruajnë mesazhe dhe të komunikojnë mes tyre në grupin e përbashkët të “WhatsApp”.

Ky veprim vetëm sa ka nxitur deputetët e tjerë të largohen më pas nga ky grup, duke refuzuar këtë metodë veprimi në grupin parlamentar. Deputetët e konsideruan këtë një veprim qesharak dhe pa asnjë efekt, sa kohë ato mund të krijojnë sa grupe të duan për të komunikuar me njëri-tjetrin. Ndrëkohë, gjatë një interviste në emisionin “Kjo Javë” në “News 24”, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, u shpreh se është e pavend që kreun e Grupit Parlamentar të PD-së ta caktojë maxhoranca.

Bardhi theksoi se PD aktualisht nuk ka një drejtues të ligjshëm dhe se ai nuk është i detyruar të njohë askënd që është i paligjshëm. Sipas tij, Basha po ndjek një rrugë që nuk e çon PD-në në fitore dhe po vepron në kundërshtim me statutin e partisë.

“E gjithë loja dhe provokimi që është duke bërë kryetarja e Kuvendit tregon lojën që po bën kryetarja e Kuvendit për të mbajtur të ndezur debatin brenda Parlamentit. Unë as nuk kam asnjë merak, nuk bëj fjalë këtu për individin Gazment Bardhi apo cilido të jetë kryetari i grupit Parlamentar. Në çdo vend është e pavënd që kryetarin e grupit parlamentar të opozitës ta caktojë kryetarja e Kuvendit apo Partia Socialiste në pushtet. Tentativa e Bashës për t’ju imponuar deputetëve, unë do ta quaja qesharake. Fati im dhe i Bashës është që ne jemi të ulur ngjitur në Parlament.

Unë nuk ndihem krenar për debatin me kolegun Basha. Por ai ishte një moment emocional njerëzor, një akt i padenjë nga Basha që solli atë reagim timin. Nëse do të zgjidhja interesin tim, do të mbaja një pozicion më të qetë, t’i gënjeja bashkëpunëtorët duke i thënë jemi mirë, do fitojmë. Por roli që ka marrë Basha për të folur në emër të të tjerëve, është e gabuar. Sipas ligjit sot, PD nuk ka një kryetar legjitim, sipas rregullave statutore dhe ligjeve të vendit.

Për mua PD nuk lidhet me emrin e një individi, por me sakrificën dhe mundin e mijëra njerëzve që duan ta shohin këtë parti të fortë. Unë nuk jam i detyruar të njoh askënd që është i paligjshëm. Unë njoh vlerat demokratike, s’jam i detyruar as ta njoh, as t’i shkoj pas një rrugë që të çon drejt humnerës, apo t’i bie murit me kokë. Me grupin e Berishës kemi ndërtuar një aksion të përbashkët parlamentar, këmi dërguar 3 kërkesa për 3 komisione hetimore, këmi paraqitur një axhendë të përbashkët për të koordinuar punën në Parlament”, deklaroi Bardhi.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re