Skip to content

Tjetër tragjedi ajrore shokon botën në pak ditë

Të paktën 124 njerëz u vranë të dielën kur një aeroplan u ul pa rrota, doli nga pista dhe shpërtheu në flakë pasi u përplas me një mur në Aeroportin Ndërkombëtar Muan në Korenë e Jugut, thanë zjarrfikësit.

Fluturimi i Jeju Air 7C2216, i ardhur nga kryeqyteti i Tajlandës, Bangkok me 181 pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit, u përpoq të ulej rreth orës 9 të mëngjesit me orën lokale në aeroportet në jug të vendit. Ky është rrëzimi më i rëndë i avionit të një kompanie ajrore koreano-jugore në 30 vitet e fundit.

Pamjet video tregojnë Boeing 737-800 me dy motorë duke rrëshqitur në pistë pa pajisje uljeje, duke goditur një mur dhe duke shpërthyer në një top të madh zjarri. Foto të tjera tregojnë tym dhe zjarr rreth pjesëve të mjetit. Dy anëtarë të ekuipazhit, një burrë dhe një grua, u shpëtuan nga bishti i aeroplanit që digjej, tha shefi i zjarrfikësve Lee Jung-hyun në një konferencë shtypi.

“Vetëm bishti është disi i paprekur, pjesa tjetër (e aeroplanit) nuk njihet,” tha ai.

Ai shtoi se nuk është më një operacion shpëtimi, por një kërkim për trupat e rënë nga avioni. Duke cituar zjarrfikësit, agjencia e lajmeve Yonhap tha se shumica e 175 pasagjerëve dhe gjashtë anëtarëve të ekuipazhit besohet të kenë vdekur.

Ky është aksidenti më i rëndë që përfshin një linjë ajrore të Koresë së Jugut që nga viti 1997, kur një aeroplan i Air Korea u rrëzua në Guam, duke vrarë më shumë se 200 njerëz, sipas të dhënave nga ministria e transportit.

Hetuesit po shqyrtojnë goditjen e shpendëve dhe motin e keq si shkaqe të mundshme të rrëzimit, tha Lee. Yohnap citon zyrtarët e aeroportit të cilët thanë se goditja e shpendëve e bëri të pamundur daljen e rrotave. Në mesin e pasagjerëve ishin dy tajlandezë, ndërsa pjesa tjetër besohet të jenë koreano-jugorë, njoftoi ministria përkatëse.

Avioni Jeju Air Boeing 737-800 u prodhua në vitin 2009. Kompania, e themeluar në vitin 2005, është një linjë ajrore me kosto të ulët me fluturime ndërkombëtare në Japoni, Tajlandë dhe Filipine, si dhe disa destinacione vendase. Drejtori i kompanisë Kim E-bae kërkoi falje për aksidentin dhe u përkul thellë para viktimave në një konferencë për shtyp. Ai tha se avioni ishte në gjendje pune dhe zyrtarët e aeroportit të Bangkok thanë se nuk ishte raportuar ndonjë mosfunksionim përpara fluturimit.

Prodhuesi Boeing tha se ishte në kontakt me Jeju Air dhe do të ndihmonte në hetim. Të gjitha fluturimet e brendshme dhe ndërkombëtare në aeroportin Muan janë anuluar, raportoi Yonhap. /tesheshi.com/