Gjykata e Apelit në Shkodër ka dhënë vendimet për ish-zyrtarët e Lezhës që akuzohen për tjetërsim të pronave në zonën e Ranës së Hedhur në Shëngjin. Ish kryebashkiaku i Lezhës Fran Frrokaj dhe ish kryetari i qarkut, Gjok Ndoka dënohen nga Apeli me 3 vite burg secili.

 

Gjykata gjeti fajtorë edhe 15 zyrtarë e qytetarë të përfshirë në tjetërsimin e 234 mijë metrave tokë në bregdetin e Ranës së Hedhun në Shëngjin. Frrokaj është hetuar në gjendje të lirë dhe pas vendimit të Apelit, pritet që të arrestohet.

 

Hetimet për tjetërsimin e pronave në zonen e Ranës së Hedhun në Shëngjin kanë nisur në vitin 2017-të, kur në prokurori u denoncua tjetërsimi i i 234 mijë e 548 metër katrore tokë shtetërore ranishte. Fillimisht në këtë çështje së bashku me kryebashkiakun u arrestuan edhe 22 persona të tjerë, por në gjykatën e shkalles se pare lezhe dosja u dërgua për 18 persona, nga të cilët vetëm një u shpall i pafajshëm.

 

Tjetërsimi i pronave në Lezhë është çështje që prej vitesh i përket drejtësisë kur është bërë dhe goditja më e madhe e SPAK me sekuestrimin e 55 milionë eurove pasuri, të ardhura nga vjedhja e tokës së shtetit. 13 milionë euro pasuri të sekuestruar në korrik i përkasin grupit të Fran Frrokaj dhe 10 të tjerëve, për të cilët SPAK mbylli hetimet dhe kërkon gjykimin, ndërsa 42 milionë euro pasuri të sekuestruara në vitin 2017 i përkasin grupit të vëllait dhe motrës së ish-deputetit Arben Ndoka.

 

Kujtojmë se në shtator të vitit 2020, Frrokaj është dënuar nga Shkalla e Parë me 4 vite burg për tjetërsimin e pronave te Rana e Hedhun në Shëngjin, por Apeli vendosi t’i ulë dënimin me 1 vit. Ndërsa Gjok Ndokës i shtohet 1 vit burg nga Apeli. Më 18 korrik, Frrokaj u paraqit në SPAK por nuk pranoi të tregonte arsyen, thjesht u justifikua duke thënë “Kam ardhur për punët e mia”. Për skandalin e tjetërsimit të pronave në Shëngjin hetimet nisën që në vitin 2017 pas denoncimit të një qytetari se prona e tij rezultonte në Hipotekë në emër të familjeve të tjera.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re