Pas vendimit të Gjykatës së Apelit që la në fuqi dënimet për 9 zyrtarë lokalë në Kavajë të akuzuar për tjetërsim prone, prokuroria i kërkon Kadastrës të ekzekutojë vendimin për kthimin e 36 hektarëve në pronësi të shtetit.

Nga Elton Qyno

Gjykata e Apelit Durrës vendosi në fillim të nëntorit lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Kavajës për shpalljen fajtorë të 9 zyrtarëve lokalë, përfshi ish-kryeregjistruesin Seid Cikalleshi, për tjetërsimin përmes dokumenteve të falsifikuara të 36 hektarëve tokë në bregdetin e Spillesë. Vendimi i Apelit po ashtu lë në fuqi prishjen e akteve të regjistrimit të kësaj prone dhe kthimin e saj në pronësi të shtetit.

Dhjetë ditë pas këtij vendimi Prokuroria e Kavajës ka nxjerrë urdhërin e ekzekutimit të vendimit duke i kërkuar Agjencisë së Kadastrës Shtetërore të kryej veprimet në regjistrin e pronave. “Fshirja tërësore e regjistrimit të tyre në regjistrat përkatës të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe kthimin e këtyre pasurive nga gjendja aktuale, në pasuri me pronarë shtetin”, thuhet në urdhërin për ekzekutim të prokurorisë.

Tjetërsimi i pronës në bregdetin e Spillesë nga i cili rezultoi të kishin përfituar edhe ish- drejtues lokalë, përfshi të afërm të ish kryebashkiakut Elvis Roshi, u hetua nga prokuroria e këtij qyteti. Hetimi u finalizua në nëntor 2017 me arrestimin e 11 personave. Urdhër-arrest u lëshua edhe ndaj shefit lokal të Hipotekës, Seid Cikalleshi. Hetimet zbuluan një skemë tjetërsimi, e cila kishte transferuar 36 ha prona publike në bregdet përmes shit-blerjeve të dyshimta.

Në prill të vitit 2019 Gjykata e Kavajës u vendosi  se 9 nga 11 zyrtarët e arrestuar fillimisht ishin fajtorë për skemën e tjetërsimit të pronave në plazhin e Spillesë. Ish-kryeregjistruesi i Kavajës Seid Cikalleshi u dënua me 2.8 vjet burg për falsifikim dokumentesh si dhe me ndalim 2-vjeçar për ushtrimin e funksioneve publike.  Dënime të ngjashme në aplikim të gjykimit të shkurtuar morën edhe 7 të pandehurit e tjerë, ndërkohë që dënimi për Aida Gjocin është konvertuar në punë të detyruar pranë ndërmarrjes komunale të Kavajës. Ky vendim u la në fuqi nga Gjykata e Apelit Durrës.

Falsifikimet e pronave në Kavajë janë vetëm një prej rasteve të hetuara vitet e fundit nga Prokuroria për abuzime masive me tokat publike. Prokuroria ka çuar në Gjykatë ose po heton çështje të ngjashme në Shkodër, Vlorë dhe Lezhë.

Dënimet e të pandehurve

Seid Cikalleshi, ish-kreu i ZVRPP Kavajë dënohet me 2.8 vjet burg

Andi Gjeçi, jurist në  ZVRPP Kavajë dënohet me 2.4 vite burgim

Asim Arkaxhiu dënohet me 2 vjet burgim

Aldo Kila dënohet me 1.8 vite burgim

Ilir Kaja i njësisë administrative Kryevidh dënohet me 3 vjet burgim

Agron Xhelezi, ish-kryetar i Komisionit të Ndarjes së Tokave dënohet me 2 vjet burgim

Dritan Kazazi, ish-hartograf në ZVRPP dënohet me 2 vjet burgim

Nezir Leçini, ish-shef i Kadastrës dënohet me 2 vjet burgim

Aida Gjoci, 8 muaj burgim konvertuar në 120 orë punë të detyruar

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re