Tre persona u arrestuan nga policia e Durrësit pasi tjetërsuan 5000 metër katrorë tokë në Gjirin e Lalzit.

 

Në pranga përfundoi ish-juristi i Hipotekës Artur Isaku 60-vjeç si dhe Faik Ibrahimi 72-vjeç dhe 68-vjeçari Zyber Dema. Ndaj tyre rëndojnë veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim.

 

Nga hetimi i thelluar prokuroria konstatoi se tre të akuzuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin përmes dokumenteve të falsifikuara i morën tokën në Gjirin e Lalzit një personi tjetër. Prona u regjistrua në hipotekë në emrin e Faik Ibrahimit dhe Zyber Demës, kjo me ndihmën e ish-zyrtarit Artur Isaku i cili gjatë kësaj kohe mbante detyrën e juristit në institucionin e hipotekës së Durrësit.

 

Rasti u zbulua pas disa muaj hetimesh, ndërsa ka dyshime se në këtë veprimtari kriminale janë të përfshirë dhe persona të tjerë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re