Skip to content

Tmerret e burgjeve të Assad-it pushtojnë ekranet arabe

Burgu.webp

Për dekada me radhë, tmerret brenda mureve të burgjeve siriane ishin një tabu që mund të kushtonte jetën. Por sot, pas rënies së regjimit të Bashar Al-Assad, ato histori po kthehen në qendër të vëmendjes përmes produksioneve televizive që po transmetohen gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, periudha më e rëndësishme e shikueshmërisë në botën arabe.

Në një fabrikë sapuni të braktisur në veri të Bejrutit, skenografët kanë rikrijuar me imtësi korridoret e errëta dhe qelitë mbytëse të Saydnaya-s, burgut ushtarak që Amnesty International e ka pagëzuar si “thertore njerëzore”, ku seriali “Al-Khuruj Min Al-Beir” (Dalja nga pusi) po thyen heshtjen 50-vjeçare të sundimit të hekurt të familjes Assad duke sjellë në ekran skena të torturës, ekzekutimeve dhe zhdukjeve me forcë.

Sipas agjencisë së lajmeve Associated Press (AP), trajtimi i këtyre temave mbetet një proces i dhimbshëm dhe tejet i ndjeshëm për shoqërinë siriane. Regjisori Mohammed Lutfi, thekson se Saydnaya mbetet një vend i errët plot me histori tragjike, për të cilat shumë familje të viktimave ndjehen të dyzuara.

Shoqata e të Paraburgosurve vlerëson se rreth 30.000 persona u burgosën në Saydnaya pas vitit 2011, por vetëm një pjesë e vogël arritën të dalin gjallë pas përmbysjes së regjimit. Prandaj për shumë sirianë këto seriale janë një formë katarsisi.

Përveç dokumentarit “Dalja nga pusi”, që fokusohet në kryengritjen e vitit 2008, seriale të tjera si “Çezari, pa kohë e vend” dhe “Provinca 15”, po merren me dëshmitë reale të torturave dhe lidhjen e ndërlikuar mes Libanit dhe Sirisë, përfshirë krizën e refugjatëve.

Pavarësisht interesit të madh, Shoqata e Familjeve të Çezarit ka reaguar ashpër duke deklaruar se drejtësia kërkohet në gjykatë dhe jo në studiot e filmave, pasi dhimbja e mijëra familjeve që kërkojnë eshtrat e të dashurve nuk duhet të përdoret për argëtim.

Megjithatë, kineastët këmbëngulin se kjo është koha për të dokumentuar epokën e errët, pasi frika nga hakmarrja e regjimit i mbajti këto projekte në sirtar për vite me radhë, ndërsa tani që “pusi” është hapur, bota arabe po përballet me imazhet e një makthi që për shumë sirianë ishte realiteti i përditshëm. /tesheshi.com/