Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muuja ka bërë me dije se Kosova ka blerë nga një anti-tank “Javelin” për çdo tank të Serbisë.

Ai tha se një “Javelin” kushton 178 mijë dollarë dhe 240 të tillë, aq sa tanke besohet se ka Serbia, shkojnë deri në 70-80 milionë dollarë.

“Vendi ynë nuk e do një konflikt në Ballkanin perëndimor, theksoi ai, por kaosin që ka përfshirë siç tha rendin botëror, në raste të tilla duhet bërë përgatitje”, tha Muja.

“Unë besoj se Serbia për ne përbën rrezik real, e këtë e kjo u dëshmua edhe me ngjarjen e Banjskës. Tani ata po blejnë sisteme ruse anti-raketë dhe dronë kinezë. Shpenzimet e tyre ushtarake sot i kalojnë ato të kohës së Milloshevicit, që konsideroheshin si më të lartat deri tani”, shtoi ai, duke theksuar se armatosja e Kosovës i shërben paqes.

Raketat në fjalë mund të godasin një tank në një rreze prej 4 mijë metrash.

Sistemi raketor drejtohet automatikisht drejt objektivit pas lëshimit, ndërsa ushtarët mund të ripozicionohen menjëherë dhe të përgatiten për hedhjen e radhës.

Më herët Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi se Kosova ka bërë kërkesë që të blejë raketa Javelin në vlerë prej 75 milionë dollarësh. Bëhet fjalë për 246 raketa kundërtanke të këtij lloji, të prodhuara nga SHBA-ja.

DASH-i sqaroi se më 11 janar administrata amerikane ka njoftuar Kongresin për propozimin e programit për Shitjet e Huaja Ushtarake (FMS) për rastin e shitjes së raketave Javelin dhe pajisjeve të tjera të lidhura me to për Kosovën.

Çfarë janë raketat Javelin?

FGM-148 Javelin është një sistem antitank portativ i prodhuar nga ushtria amerikane.

Raketa prodhohet që nga viti 1994 dhe çdo herë është përmirësuar. Ushtria amerikane e përdori për herë të parë këtë raketë në Irak dhe Afganistan më 2003.

Raketa Javelin u bë e njohur në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës. Ukraina i ka përdorur gjerësisht këto raketa për shkatërrimin e automjeteve të blinduara ruse.

Ky sistem raketor drejtohet automatikisht drejt objektivit pas lëshimit. Ushtarët mund të ripozicionohen menjëherë pas lëshimit dhe mund ta ngarkojnë për gjuajtjen e radhës. Raketa ka aftësi të arrijë shpejtësinë deri në 150 metra në sekondë (540 km/h) pasi të lëshohet dhe rrallë e humbasin objektivin.

Ushtria amerikane ka prodhuar afro 38 mijë raketa të tilla deri tani. Rreth 20 deri në 25 mijë prej tyre janë përdorur në luftëra apo aksione të ndryshme – pjesa tjetër është përdorur për testime.

Kontraktorët e kësaj marrëveshjeje do të jenë kompanitë që prodhojnë raketat Javelin, Lockheed Martin dhe Raytheon Missiles and Defense. /

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re