TIRANË- Një ditë pas grabitjes në Kamëz policia ka të tjera prova që mund ta çojnë drejt kapjes së dy autorëve të dyshuar të ngjarjes, ku mbeti i vrarë 52-vjeçari Agim Buci dhe u plagos bashkëshortja e tij Merita Buci.

Ndonëse e gjithë rruga ishte në errësirë të plotë, duke iu krijuar mundësi autorëve për t’u larguar ajo që mund të çojë në identifikimin e tyre janë pamjet e kamerave të sigurisë të vetë dyqanit të çiftit Buci.

Gazetarja Dorjana Bezat raportoi për “BalkanWeb” se policia ka sekuestruar pamjet filmike të kamerave të vendosura brenda biznesit dhe po i analizon për të pasur një imazh të autorëve të krimit.

Po kështu sot po bëhet sërish këqyrja e vendit të ngjarjes me dritë natyrale për të gjetur gëzhojën e dytë, pasi e para është gjetur pas ngjarjes. Marketi “Gerti”, shënjestër e grabitësve ku ndodhi edhe përleshja e çiftit Buci me autorët ndodhej në oborrin e shtëpisë së çiftit që kishin 4 fëmijë.

Dy autorët sipas dëshmive të para ishin të veshur me bluza sportive me kapuç, ndërkohë që kishin vendosur edhe kapele për t’u maskuar sa më mirë. Pasi lanë pas burrin e vrarë dhe gruan e plagosur, autorët u larguan pa marrë gjë nga marketi.

(m.k/BalkanWeb)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re