Vijon interpelanca në Kuvend, me ministrin e Mbrojtjes Niko Peleshi, kërkuar nga deputeti Ferdinand Xhaferraj, i cili ka hedhur akuza për tjetërsimin e pronave të ushtrisë.

Duke u ndalur te baza ushtarake e Kuçovës, Xhaferraj tha se pavarësisht se NATO kishte shprehur interesin për të investuar, qeveria e ka dhënë me qera dhe ka shitur një pjesë të konsiderueshme të sipërfaqes së saj.

Sipas deputetit demokrat një kompani private, e ka marrë sipërfaqen me qera, me pretendimin se do të investonte dhe do të punësonte 50 persona, gjë e cila nuk ka ndodhur. Shkelja e kësaj kontrate është pranuar nga vetë ministri Peleshi, i cili tha se ministra që drejton ka kërkuar ndërprerjen e marrëveshjes së qerasë me këtë ndërmarrje private.

“Të nderuar kolegë, e patë zotin ministër, ishte dobët, sepse po trajtonte çështje që nuk i mbron dot. Bëri mirë, i lëshoi paraardhësit, ti nuk ke dhënë asgjë me qera, se si zyrtar i vjetëre njeh ligjin. Gjithçka nis me një vit të kaluar në 2014, që thotë se presidenti ushtron kompetencën, për planin e vendosjes dhe përhapjes së forcave të armatosura në kohë paqe.

Por me një VKM janë nxjerrë 133 hektarë nga plani i përhapjes, 67%, pa pyetur presidentin. Kjo është baza e Pashalimanit, këtu kemi bazën e Kepit të Lalit, baza e Shëngjinit, dhe gjiti i Palermos, që mezor dallohet ajo çfarë i ka lënë ushtrisë. Ne nuk kemi qeveri, kemi thjesht një çetë që iu është vërsulur bazave ushtarake. Unë isha në bazën ushtarake të Kuçovës, të nderuar qytetarë, iniciativa për modernizimin e bazës së Kuçovës kanë nisur në 2011, dhe në 2013 është propozuar që investimi në Kuçovë të ishte e NATO.

Edhe pse e dinin interesin e NATO-s në Kuçovë, një sipërfaqe prej mijëra metrash katrorë, është dhënë me qera për 1 euro, ndërkohë që një tjetër sipërfaqe toke është shitur. Ndërkohë që NATO procedonte investimin që do të bënte në këtë bazë, këta shisnin dhe jepnin me qera tokën. 

Kur ishte dhënë me qera një pjesë e bazës, në kontratë thuhej se qiramarrësi duhet të kishte punësuar 50 persona, dhe të kishte investuar miliona euro, ndërkohë që sot atje nuk ka asnjë investim, dhe nuk ka asnjë person të punësuar”, tha Xhaferraj.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re