Shpesh herë na takon të dëgjojmë apo lexojmë lajme sesi një grua rrihet e vritet nga duart e të shoqit, sesi vëllai qëllon mbi gjakun e tij për një pronë, apo sesa drogë e vjedhje u regjistruan.

Por mes shqiptarëve ka plot nga ata që zemrën e kanë të madhe. Nuk marrin, përkundrazi japin. Nuk flasin, përkundrazi bëjnë veprën e mirë.

Ky është dhe misioni i “Shqiptarët për Shqiptarët”, të përcjellin modelin e veprave të mira, modelin e shqiptarëve që ndihmojnë shqiptarët.

E një model të tillë, e përjetëson më së miri Shaipi, shqiptar i Kosovës. Një njeri i thjeshtë, i dashur dhe fjalëpak. Me të dëgjuar që fondacioni ‘Firdeus’ do të ndërtojë një lagje për jetimët e nevojtarët në Kosovë, vendosi t’i bashkohet veprës dhe modelit bamirës.

Shaipi diskutoi me vëllezërit e tij dhe vendosën që të dhurojnë një sipërfaqe toke prej afro 10 mijë metrash katrorë, një tokë e cila do të shërbejë si ngrehina ku do të çohen në këmbë banesa për nevojtarët e Kosovës.

“Tokën e fal me gjithë zemër, për shpirt të babës” thotë Shaip Stublla, një shqiptar me të vërtetë bamirës, që mendon për të pamundurit.


Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re