Nga Hoxhë Justinian Topulli

Islami është fe që beson se është mesazhi përfundimtar i Krijuesit dhe çdo fe tjetër veç saj, është ose e pavërtetë, ose e shfuqizuar. Muslimani beson tek ekskluziviteti i së vërtetës së Zotit, dhe nëse një musliman nuk e beson diçka të tillë, ai pushon së qeni musliman; e miratuar dhe pohuar kjo ndër shekuj, nga mbarë dijetarët e pranuar të Islamit.

Sigurisht, që besimi se vetëm feja e tyre është e vërteta përfundimtare, nuk është vetëm besimi i muslimanëve, por ky është besimi edhe i të krishterëve dhe hebrenjve, për fetë e tyre. Por Islami, si rrallëkush, beson dhe sanksionon me ligj se njerëzit nuk duhet të detyrohen ta ndjekin atë, edhe pse ai është e vërteta e Zotit në tokë për njerëzit. Islami beson se e drejta e ekzistencës së besimeve dhe feve të tjera në këtë botë, bën pjesë tek liria dhe sprova e çdo njeriu në këtë jetë, ndaj dhe nisur nga ky besim, ne si muslimanë pranojmë bashkëekzistencën dhe bashkëjetesën me ithtarët e besimeve të tjera, madje edhe kur jemi shumicë, jemi të obliguar ta garantojmë këtë tolerancë. Ky është besimi ynë, doktrina dhe praktika jonë, për më se katërmbëdhjetë shekuj.

Ndërkohë sinkretizmi fetar, qoftë ky me fetë e pasardhësve të Ibrahimit, apo edhe me besime të tjera, në çfarëdolloj forme qoftë, është kategorikisht i refuzuar. Të jesh tolerant me një të krishterë, jude apo dikë tjetër, dhe të sillesh njerëzishëm me ta, nuk do të thotë për asnjë moment, se është e nevojshme që për ta shprehur këtë, të miratosh apo përshëndetësh nisma që kërkojnë të përfshijnë nën një çati (ose edhe në një oborr) tre godina kulti: xhaminë, kishën dhe sinagogën. Dialogu me ithtarët e besimeve të tjera, për ne muslimanët, duhet të ketë synime të qarta dhe të paracaktuara, dhe nuk ka nevojë aspak për miratim nismash të tilla sinkretike, që dëshmojnë padijen fetare ose synime të tjera të atyre që i iniciojnë.

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re