Nga Stavro Xhardha

Vendi ynë i vogël është shquar në të gjithë globin për të ashtuquajtur tolerancë fetare. Madje, njihet si një vend ku radikalizimi fetar është armik i saj. Mirpo mua personalisht, se me kë më ngjason pak më tepër ky fenomen…

Mënyra më mjeshtërore për të thënë se në një vend ka ngjyrime tmerrsisht të theksuara është edhe metoda nga e kundërta: Të thuash se të gjithë (kaq të ndryshëm) jemi njëlloj. Kjo për mua është më se e qartë si çdo ngjyrë, pa patur fare dyshim se shoh bardhë e zi.

Me këtë arsyetim, gjer në një pikë të caktuar, mendoj se është abuzuar shumë me tolerancën fetare. Por, pa drejtuar gishtin askund, qoftë e vërtetë apo e gënjeshtërt, unë ende i shoh ata: paganët e radikalët, brënda monoteizmit. Shoh edhe mohuesit, agnostikët dhe ata që nuk dinë çfarë bëjnë. Ata janë të gjithë aty.

Është e vërtetë se ka vende ku edhe vetë e shoh me të drejtë të jetojë ky tog-fjalësh, si për shembull në aktivitete bamirësie, tek tuk ndonjë martesë ose në mirëkuptimin për shumë çështje midis klerit, dhe funksionon shumë mirë. Por ata që e kuptojnë saktë atë janë pak.

Po të shumëtit? A i përtyp ky tog-fjalësh apo e përtypin ata tog fjalëshin? Çfarë do të thotë tolerancë fetare për ata?

Epo, duket se në’ gëzofshim për Bajram por edhe për Pashkë, por edhe për Sulltan Novruzin e nga ana tjetër deklarojmë respekt e besnikëri ndaj doktrinës që ndjekim, të kujtdo prej tyre, ka një problem thelbësor. Qëndrojmë kështu midis cektësisë dhe injorancës, të cilat kurrë nuk orientojnë drejt arsyes, në gjykimin tim.

Për rrjedhojë nuk kemi si të flasim për tolerancë fetare, kur nuk dimë kuptimin e fesë si fillim. Egziston një ndasi disi qesharake midis dy (le të themi) besimtarëve të po të njëjtit besim: Ai që (thotë se ) i takon këtij besimi dhe e shkel çdo ditë të mundshme ligjet e tij, dhe i deklaron këto shkelje, dhe ai që mundohet me mish e me shpirt mos ta shkelë e nuk e deklaron kurrë arsyen pse nuk e shkel. Parë nga jashtë, e gjeni dot kush del radikal?

Ashtu si pa dritën nuk mund të evidentohet errësira, ashtu edhe pa të shfrenuarin, nuk mund të dallohet një radikal. E sa më shumë thellohet shfrenimi, aq më shumë radikalizohet rezistenca e anasjelltas.

Megjithatë, me po të njëjtin arsyetim, problemi me të shfrenuarin, dashur apo pa dashur, është ende më i thellë, sepse rrezikon paganizmin. Duke krijuar kështu një hendek midis po të njëjtës “rracë”, që sa vjen e thellohet në çdo moment që kalon.

Nëse jemi në këto kushte, problemi kryesor për radikalizmin është injoranca e tyre, e cila nuk tingëllon aspak tolerante për mua. Por edhe toleranca e tejskajshme e shfrenimit, në krahun tjetër, në mos qoftë nga injoranca, është patjetër nga cektësia, ose të dyja së bashku. Të dyja bashkë sjellin korruptimin e karakterit; njëri duke parë doktrinën me sëpatë në dorë, e tjetri i paaftë të vetëfrenohet përpara epshit të tij (për të cilin nuk është e thënë të jetë në kontekst erotik gjithmonë).

Prandaj toleranca fetare me kusht importimin e çdo kulture të mundshme moderne forcon epshin, vesin, shpërqëndrimin. Në thelb është cektësi fetare e jo tolerancë. Për rrjedhojë shkakton njëkohësisht thellimin e intolerancës në ekstremin e kundërt, në ekstremin e verbër, i cili në vetvete qëndron injorancë.

Puna e fortë për tolerancën fetare nuk duhet të ndalojë. Por kjo që po shohim sot, vetëm se me tolerancën fetare nuk ka të bëjë. Kjo që po shohim sot, ka të bëjë vetëm me goditjen e klerit dhe relativizimin e vlerës që ai ka në edukimin e shoqërisë botërore, ndikimin në zgjidhjen e konflikteve dhe zëri kumbues politik që ai ka, i cili poashtu relativizohet ende mjeshtërisht.

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re