Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, ka sjellë dje shembullin e Tom Doshit, për të kërkuar nga partitë politikë që të shmangin kandidatët “problematikë” në zgjedhjet e 25 prillit.

Doshi ka partinë e tij dhe me siguri që do kandidojë sërish në Shkodër, ku del deputet prej disa mandatesh.

Për momentin a s’ka reaguar për deklaratën e ambasadores amerikane, por një përgjigjie e ka dhënë më 2018, kur u shpall “non grata” në SHBA.

“Fëmijët e mi janë nënshtetas australianë s’kanë nevojë as për vizë amerikane, as kanë qenë asnjëherë në Amerikë, as gruaja ime as fëmijët e mi. E gjithë kjo punë është a e merr vizën apo se merr.

E dyta kam aplikuar në ambasadë në kohën që kam qenë në hetim, nuk më është thënë që të refuzohet. Merr një letër nga prokuroria më kanë thënë, dihej që isha në hetim. Nuk më është refuzuar me shkrim, apo me vulë.

Unë jam opozitar, s’kam firmosur ndonjëherë në shtet, 13 vjet që kam deputet s’kam qenë ndonjëherë në pushtet. Me bo korrupsion duhesh me qenë ministër e kryeministër, s’jam marrë asnjëherë me tendera, jam taksapaguesi më i madh në Shqipëri me kompanitë që kam.

Kjo është puna e atyre që janë marrë me këtë çështje, unë shpirtërisht jam i pastër, kam pasur një shtet kundër, jam arrestuar në mënyrë të paligjshme, as e kam ndërmend të merrem me këtë punë, por pasi të më bëhet zyrtare kam të drejtën time të kërkoj “pse”.

CNN akuzon Trumpin prej 2 vjetësh që ka blerë zgjedhjet e ai vazhdon të drejtojë. Pse e bëni kaq të madhe, jam njeriu më i votuar në Shqipëri. Unë s’kam bërë korrupsion, jam në rregull. Mos u shqetësoni për këtë punë”, shprehej Doshi atëhere, ndërkohë që në rrjet është kthyer sërish në personazhin e ditës.

()