Skip to content

“Toma ia mbathi”/ Berisha: Doshi në drejtim të paditur para se të arrestohej nga SPAK

Kreu i PSD-së, Tom Doshi është arratisur. Kështu pretendon kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Berisha pretendon se Doshi do të duhej të arrestohej nga SPAK por u urdhërua të largohej nga vendi.

Postimi i plotë i kreut të PD:

“Toma ia mbathi!

Miq, gosipi i qytetit gumëzhiti mbrëmë anë e kënd e qoshe-qoshe të Tiranës se Tom Doshi u arrestua, se Tom Doshit i kanë prerë urdhër-arrestin skapistët e partisë dhe se Tom Doshi ishte diku larg apo te Rrapi e Treshit dhe sot në mëngjes do paraqitej burrërisht në SKAP për tu burgosur.

Sot në mëngjes gosipin e mori era dhe bashkë me të edhe urdhër-arrestin për Doshin, aleatin besnik të Ramaduros. Toma, që pardje ishte në Skap dhe dje u largua në drejtim të paditur, mbasi u urdhërua që t’ia mbathi. Rroftë drejtësia e Partisë së Krimit”.

Kreu i Partisë Socialdemokrate, Tom Doshi, u paraqit pasditen e 21 tetorit në Prokurorinë e Posaçme.

Pas rreth 50 minutash në ambientet e SPAK, ai tha se ishte thirrur për një çështje që nuk ka lidhje me të, ndërsa nuk kurseu as ironitë.

“U pyeta për një çështje që nuk kishte lidhje me mua, ashtu siç ka thënë Erjoni (Veliaj): kolegët të thërrasin edhe për çështje që nuk kanë lidhje me ty”, tha Doshi.

Kjo ishte hera e dytë që Doshi paraqitej në SPAK. Herën e parë ishte më 24 shkurt të këtij viti, ku u pyet për rreth 90 minuta.

Atëherë Doshi tha se u pyet për zgjedhjet në Rrogozhinë në 2023, duke shpjeguar se një nga personat që ka takuar gjatë një takimi elektoral ka qenë në përgjim nga SPAK.