Nga 23 shkurti karantina për të infektuarit me COVID që shfaqin formë të lehtë apo të moderuar të sëmundjes do të zgjasë pesë ditë. Udhëzimi për përgjysmimin e ditëve të izolimit për të cilin ekspertët e Komitetit Teknik të Shëndetësisë ranë dakord në mbledhjen e të martës ka nisur tu shpërndahet mjekëve të familjes.

Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik Eugena Tomini tregon se në varësi të ecurisë së pandemisë dhe vaksinimit do të vendoset dhe për lehtësimin e masave të tjera, si ora policore apo mbajtja e maskave në mjedise të mbyllura.

Të prekurit nga COVID dy javët e fundit  janë përgjysmuar ndërsa pozitiviteti, tregues i transmetueshmërisë së virusit në komunitet ka zbritur në 11%. Qendrueshmëri po paraqesin dhe të shtruarit në spitale.

Nga sot  të gjithë ata që kanë kaluar pesë muaj nga marrja e dozës së dytë anti COVID mund të kryejnë të tretën. Vendimi i Komitetit Teknik ka hyrë në fuqi ndërsa numri i personave mbi 16 vjeç që kanë marrë vaksinën përforcuese ka arritur në rreth 10%. Ndërkohë 54% e popullsisë target është vaksinuar me dy doza dhe 58% me një. /abcnews.al

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re