Mbyllja e ndeshjes me Tiranën i dha fund edhe asaj që mund të ishte ndeshja më e rëndësishme për Tomorin në këtë sezon. Por duke marrë parasysh se rikthimi i Tiranës në Berat erdhi në një moment që bardheblutë e kishin siguruar rikthimin në Kategorinë Superiore dhe Tomori nuk ka më një objektiv bindës.

Kjo ishte edhe arsyeja që ndeshja nuk pati impaktin e duhur edhe tek tifozët që mbushën stadiumin si ndryshe gjatë këtij kampionati por jo në nivelin që pritej. Ndërkohë pas kësaj ndeshje tashmë Tomori duhet të zhvilloj edhe tre sfida për të mbyllur zyrtarisht sezonin nga të cilat dy të radhës janë në transfertë.

Tomori këtë javë udhëton drejt Pogradecit dhe më pas në Ballsh ndaj dy skuadrave vendase, Pogradeci dhe Bylis. Këto ndeshje tani pritet të shihen më tepër si miqësore nga skuadrat përkatëse pasi çdo objektiv tashmë është ezauruar nga skuadrat e zonës playoff në grupin B.

Me Pogradecin sezonet e fundit Tomori ka treguar një rivalitet interesant nisur kjo edhe nga fakti se prej disa sezonesh këto skuadra kanë luftuar për objektiva të njëjta, si në Kategorinë e Parë dhe atë Superiore dhe të dy skuadrat kanë ndarë dominime të caktuara në sezone të caktuar.

Në tre ndeshjet e luajtur në këtë sezon të dyja skuadrat numërojnë nga një fitore dhe një tjetër ndeshje është mbyllur në barazim. Po ashtu kjo do të jetë ndeshja e dytë që do të luhet në Pogradec pas asaj të fazës së dytë./Berati.TV

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re