Tomori ka humbur sfidën ndaj Bylisit në transfertë me rezultatin 3-1. Një ndeshje kjo e cila ka pasur shumë episode për t’u komentuar, duke nisur që nga gjykimi, dhuna dhe incidenti i ndodhur me gazetarin dhe kameramanin beratas Artan Diko. Në fund të këtij takimi ka pasur edhe një reagim të ashpër nëpërmjet faqes zyrtare të klubit në rrjetin social “facebook”, duke hedhur një “lumë” akuzash ndaj klubit ballshiot.

Loja: Ndeshja ka nisur e mire për të besuarit e Gersi Arbrit, të cilët kanë zhvilluar një lojë voluminoze dhe kanë arritur të kalojnë të parët në epërsi. Ishte kapiteni Bitri i cili në minutën e 38-të arriti të mposhte portierin kundërshtar, dhe 0-1. Pjesa e dytë për Tomorin do të niste me një lojtar më pak, teksa Kaloshi u ndëshkua në mënyrë të çuditshme me karton të kuq në dhomat e zhveshjes. Kjo gjë ka irrituar në një fare mënyre drejtuesit, të cilët njëkohësisht mbetën edhe të habitur nga vendimi I gjyqtarit të takimit. Në minutën e 69-të futbollisti Murataj do të barazonte rezultatin, ndërsa një minute më vonë u ndëshkua me karton të kuq edhe mbrojtësi Hoxha. Tomori rezistoi vetëm 7 minuta me 9 futbollistë, teksa në të 77-tën Murataj do të dyfishonte rezultatin. Po në këtë minute kryesori ka ndëshkuar për protesta kapitenin Bitri me kartonin e dytë të verdhë, duke e lënë skuadrën e 8 futbollistë. Më pas, do të ishte Kolgega në minutën e fundit që do të trefishonte rezultatin dhe 3-1.

Sakaq, reagimi i klubit menjëherë pas ndeshjes ka qënë ky:

“Futbolli dhe Qytetaria duhet të vijë pikësëpari nga ata që e menaxhojnë klubin, mirëpo kur ata bëhen palë e dhunës, atëherë ky sport ka vdekur. Qyteti i Ballshit duhet të hiqet njëherë e përgjithmon nga lista skuadrave shqiptare, madje edhe drejtuesit e tyre duhet të mos figurojnë më në asnjë “eveniment” sportiv, paçka se disa janë dënuar dhe nuk e zbatojnë. Kjo ndoshta jo për fajin e tyre, por të FSHF-së që bënë “një sy qorr dhe një vesh shurrdh”. Është e patolerueshme të zhvillohet një ndeshje futbolli në qytete të tilla. Menjëherë sapo kemi zbritur në qytetin e Ballshit jemi përballur me një trysni dhe presion të paimagjinueshëm. Gazetari i “RTSH” dhe “Rubrika Sportive” , Artan Diko është dhunuar në mënyrë barbare nga disa të urdhëruar, që më pas i kanë thyer edhe kamerën me qellim që të fshihej e vërteta. Por… kjo e vërtetë nuk fshihet me “gomë” edhe pse ju i premtuar gazetarit në fjalë një kamer tjetër. I bëjmë thirrje Policisë së Shtetit që t’i bëjë një hetim të detajuar kësaj ngjarje. Të bëhet menjëherë “Veting”-un në Policinë e qytetit të Ballshit. Punojës së Policisë së Shtetit të cilët duhet të mbrojnë qytetarët dalin jashtë korënizës së tyre dhe e kërcënojnë këtë të pafajshëm duke iu drejtuar: “Po ju çfarë na bërët në Berat”?! Turp!!! Doraldo Paja ndodhet momentalisht në Spitalin Rajonal të Beratit dhe po kryen të gjitha ekzaminimet e dëmtimit “horror” që pësoi në kokë, ndërsa ndihmësit e barelës e hodhën në një cep të fushës sikur të ishte dele!!!
Arbitri nxorri 3 futbollist me karton të kuq, pasi kjo ishte e vetmja mënyrë që Ballshi të kthente rezultatin dhe të mbronte me pameritë vendin e dytë në klasifikim. Ndërsa në fund, kryesori I takimit I kërkoj falje drejtuesve beratas për atë që ndodhi, duke u shprehur se ishte i detyruar dhe kërcënuar duke mos pasur rrugë tjetër.
SHKRIJENI BALLSHIN, ASHTU SIÇ SHKRIHEN “HEKURAT” NË ELBASAN!!!!” – një reagim mjaft i ashpër si asnjëherë më pare./ Berati.TV

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re