Skip to content

Tomori mer fitoren e parë në shtëpi, golat vijnë nga Nigeria

Tomori siguron fitoren e parë në shtëpi ndaj Turbinës duke e nxjerrë për herë të parë të gëzuar trajnerin dhe publikun e tyre. Tomori ka shënuar nga një gol për secilën pjesë  dhe ishin dy futbollistët nigerian Ogbodike dhe Frajdej që kanë vendosur ndeshjen. Miqtë nga Cërriku kanë luajtur rreth 70 minuta me një futbollist më pak pas daljes me karton të kuq të portierit Salenji.

Ndeshja nis menjëherë me gol kur sulmuesi nigerian Ogbodike kalon Tomorin përpara me një goditje me kokë  pas asistit të Drabos nga goditja standarte. Nigeriani bëhet futbollisti që merr përsipër skuadrën pasi ka edhe dy munësi të mira për të dyfishuar kur fillimisht provon edhe njëherë me kokë pas krosimit të Çaços. Ndërsa rasti tjetër ishte pas një goditje të fortë nga distanca.  Është pikërisht Kingsli Ogbodike që shfaqet i vetëm me portierin Salenji, i cili e ndal goditjen me duar kur ishte jashtë zone në minutën e 20’ dhe u ndëshkua me kartonin e kuq. Por Tomori nuk përfiton nga fakti që luan me një futbollist më tepër dhe krijon pak për të dyfishuar. Frajdjej provon rrezikshëm një goditje standarte ndërsa në fund është Koleci që ka një mundësi të mirë pasi rrëmben një top por i vetëm me portierin Demollari gabon shënjestër.

Pjesa e dytë nis më e zbehtë me Tomorin që kërkon të mbajë topin duke mos kërkuar shumë përpara ndërsa miqtë janë të paaftë për të synuar shumë portën e Braçes. Për të pritur momentin e parë të rrezikshëm u desh të pritej minuta e 13’ e fraskionit të dytë kur fillimsht Ejoh provon një parabël dhe Sharavolli përgjigjet me një goditje fluturimthi por në të dy rastet janë portierët Braçe dhe Demollari, të dy portier rezevrvë që ishin sot në fushë ndalin kalimin e topit në rrjetë. Sërish beratasit kanë një mundësi të mirë për të dyfishuar me një situatë rokamboleske në vijën e portës së Turbinës por askush nuk e dërgon në rrjetë topin e hedhur në zonë nga Dyca. Dyfishimi i Tomorit vjen me Frajdej që shfrytëzon një pasim të shkurtër të Kolecit dhe mbetet shënuesi më i mirë i skuadrës me tre gola. Ndërsa në fund është një tjetër nigerian këtë herë i Turbinës, Ejoh që shënon në një kundrasulm të shpejtë.

Kjo fitore e ngjit Tomorin me dy shkallë në klasifikim dhe vetëm tre pikë nga kreu i klasifikimit./Berati.TV

Tomori 2-1 Turbina

Shënues: Ogbodike 3’, Frajdej 78’/ Ejoh 89’

Tomori: Braçe, Çaço, Mujkiç, Markori, Shaqe, Mersini, Koleci, Joti(32’ Sharavolli), Drabo(59’ Dyca), Frajdej, Ogbodike(81’ Mahmutaj). Tr. B. Devolli

Turbine: Salenji, Zeneli(23’ Demollari), Pashaj, Sina, Daci, Qorri, Cara, Ugoçukvu, Ejoh, Gjeci(83’ Belliu), Taullau(66’ Shkreta). Tr. S. Bardhi

Kartonë të verdhë: Ejoh, Qorri

Karton i kuq: Salenji 20’

Gjyqtarë: E. Hoxha, E. Muça, E. Gjoka (Lezhë)

Vëzhgues: S. Elezi(Peqin) ;  Delegat: M. Tegu (Tiranë)

Deklaratat e trajnerëve:

Bledar Devolli: Trajneri gjirokastrit i Tomorit u shfaq i lumtur pas fitores duke u shprehur i kënaqur nga skuadra e tij: “Jam i kënaqur si nga loja ashtu edhe nga rezultati që bëmë. Ky dyjavor pushim ishte flori për ne pasi na dha mundësinë të rekuperonim futbollist të dëmtuar por edhe të korrigjonim në lojë. Mendoj se fitorja na vlen jo vetëm për renditjen por edhe në aspektin mendor duke patur dy ndeshje të rëndësishme në vazhdim’’.

Sinan Bardhi: Ishte i dyzuar nga ajo që ndodhi dhe madje u shpreh se do të ulet me presidentin për të folur mbi të ardhmen e tij: ‘’Përgjithësisht kemi zhvilluar një ndeshje të mirë dhe e vetmja pikë e dobët ishte porta. Kjo pasi të dy portierët gabuan në rastet e golave. Mendoj se kemi një grup të mirë futbollistësh dhe objektivin mbijetesë e shoh të arritshëm por dy humbjet e fundit më bëjnë të rishikoj pozicionin tim dhe më duhet të ulem dhe të flas me presidentin për të ardhemen time’’.