Dita e sotme sërish ka qënë aktive për Tomorin në merkato, si në hyrje edhe në dalje. Kjo pasi në faqen zyrtare të klubit janë njoftuar dy lëvizje.

Fillimisht ishte largimi i kapitenit Ervis Çaço, i cili kishte bërë kërkesë klubit për largim pas ofertës së ardhur nga Besa. Menjëherë pas marrjes së lejekalimit është nisur drejt Kavajës për të hedhur firmën me klubin verdhezi dhe nga nesër pritet të jetë nën urdhrat e teknikut Magani.

Çaço ka qënë një nga pikat e referimit të Tomorit gjatë kësaj pjese të parë të sezonit dhe është një nga futbollistët me më shumë  minuta për beratasit. Futbollisti i cili në karrierë ka luajtur edhe me Luftëtarin e Tiranën u rikthye në janarin e vitit 2016 në Berat duke qënë kështu një ndër elementët kryesor të skuadrës në këto sezone dhe duke mbajtur në pjesën më të madhe të kohës edhe shiritin e kapitenit.

Ndërsa më pas vjen edhe njoftimi tjetër ai i zyrtarizimit të sulmuesit shkodran Elhan Galica. Shkodrani i shumëshëtitur në kampionatin shqiptar do të vesh për herë të tretë fanellën e Tomorit. Pas largimit nga Luftëtari në vitin 2014, Galica ka patur shumë vështirësi duke u shkëputur një moment edhe nga futbolli dhe më pas për tu rikthyer në Kategorinë  e Dytë me Adën e Velipojës. Tek Tomori tashmë pritet të bëjë rikthimin për një sulmues që kur u shfaq në futbollin shqiptar pritej të ishte një talent i madh.

Po ashtu në atë njoftim klubi tregon se është në tratativa të avancuara me dy mbrojtës, njëri krahu i djathtë dhe tjetri qëndror duke identifikuar se vijnë nga Kategoria Superiore dhe kështu do të mbushen boshllëqet në mbrojtje./Berati.TV

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re