Tomori 2-1 Bylis

Shënues: Bitri 12’,24’/Leonardo 48’

Tomori: Kaloshi, Çaço, Daci, Bitri, Paja, Sharavolli, Hyseni, Mersini, Myzyri(Hoxha 80’), Gjonaj, Mitraj(Buba 61’, Kopaçi 73’). Tr. G. Arbri

Bylis: Xhorxheviç, Buzi, Bella, Kullira, Hoxhaj(Murataj 46’), Shoshi, Mahmuti(Hasani 76’), Ntepe, Zisi, Çukvuka, Henrike(Leonardo 46’). Tr. D. Sadedini

Gjyqtarë: B. Ziri, E. Veseli, E. Bregu (Fushë Krujë)

Delegat: Genc Mishaj (Tiranë). Vëzhgues: Fiqiri Haxhiraj (Tiranë)

Kartona të verdhë: Mitraj, Bitri, Myzyri, Mersini/ Hoxhaj, Buzi, Çepele(nga pankina)

Kartonë të kuq: Çaço/Buzi

Golat:

Min 12’ Myzyri hedh një kros në zonë pas një goditjeje standarte dhe Bitri me kokë është i saktë për të kaluar vendasit përpara.

Min 24’ Këtë herë është një goditje këndore dhe sërish Myzyri nga këndi dhe Bitri në qendër të zonës u vidhet mbrojtësve dhe me kokë dyfishon shifrat.

Min 48’ Është Bylis që kopjon Tomori pasi goli tyre ngjason me ato të beratasve. Shoshi këtë herë kroson në zonë dhe Leonardo me kokë ngushton shifrat.

Komenti:

Tomori fiton sfidën e dytë radhazi në shtëpi ndaj Bylisit duke ndryshuar skenarët në këtë grup. Në njërën anë Bylis humbet shumë në luftën për tu ngjitur në Kategorinë Superiore ndërsa Tomori hedh një hap të sigurt për konfirmimin si forca e tretë e grupit.

Ndeshja ka qënë e fortë dhe shumë e luftuar nga të dy skuadrat ku nuk kanë munguar as kartonat apo dëmtimet. Të tre golat erdhën nga goditjet standarte ku dy herë me kokë Bitri për Tomorin dhe njëherë Leonardo për Bylis vulosën sfidën.

E gjithë ndeshja është luajtur nën ndikimin e erës, të cilët të dyja skuadrat e patën në favor nga një pjesë secila.

Tomori shfaqet më kërkues edhe pse era në këtë pjesë favorizonte ata. Momentin e parë të mirë beratasit e shpërdorojnë vet kur Hyseni pasi merr një top nga Gjonaj hyn në zonë kërkon aty Sharavolli por nuk gjenden. Topi shkon tek Myzyri që gabon në goditje në fund.

Por goli nuk vonon kur me një goditje standarte në krah është Myzyri ai që kroson në zonë ku Bitri godet saktë me kokë dhe kalon Tomorin përpara. Pas 12’ minutave kjo situatë përsëritet sërish por këtë herë është një goditje këndore e ekzekutuar nga Myzyri dhe Bitri me kokën dyfishon shifrat. Deri në fund Tomori e ka edhe një tjetër mundësi me mesfushorin laçian Gjonaj, i cili provon me një goditje standarte por topi kalon ngjitur me shtyllën.

Edhe pjesa e dytë nis me gol por këtë herë ata që shënojnë janë ballshiotët. Shoshi nga goditja standarte hedh topin në zonë ku Leonardo godet me kokë, Kaloshi pret për një moment por nuk e ndalon dot topin që shkon në rrjetë. Pas golit ballshiotët marrin zemër më tepër dhe Zisi provon me një goditje standarte por topi shkon mbi portë. Pas tij është Buzi që përfiton nga çoroditja momentale e beratasve, shfaqet i vetëm në zonë dhe është Kaloshi ai që e ndalon dhe shpëton skuadrën nga barazimi.

Por që ndeshja po zhvillohej shumë e ashpër kjo fillon shihet më shumë me kalimin e minutave. Fillimisht është Leonardo që dëmtohet në sy pas një përplasje në zonë dhe pas tij Buba që pëson një goditje në kokë. Madje i riu beratas që vetëm pak minuta më parë kishte hyrë në fushë, del sërish për të shkuar në spital.

Më minutën e 73’ një përlasje mes Çaços dhe Buzit përfshin edhe futbollist të tjerë të të dy skuadrave dhe pankinën ballshiote. Madje Çepele ndëshkohet me karton të verdhë për përfshirje nga pankina. Në minutën e 87’ ishte Murataj që kishte mundësinë më të mirë për barazim me një goditje të fuqishme nga distanca por topi përplaset në shtyllë. Në fund Hyseni mund të jepte goditjen përfundimtare pasi kalon fillimisht Bellën dhe për një moment edhe portierin Xhorxheviç por nuk krijon dot hapësirën për të goditur portën.

Me këtë fitore Bylis mbetet në distancën 7 pikë nga Tirana ndërsa Tomori afrohet me 6 pikë më ballshiotët duke u renditur njëri pas tjetrit nga vendi i parë tek i treti.

Prononcimet:

Stafi ballshiot u largua menjëherë pas ndeshjes dhe askush nuk foli para kamerave.

Ndërsa trajneri i Tomorit, Arbri vlerësoj fitoren dhe se Tomori luan pë Tomorin. “E kishim përgatitur mirë ndeshjen dhe e kërkuam këtë fitore. Dua të falenderoj djemtë për lojën, bashkëpunëtorët e mi për punën e bërë por edhe drejtuesit për ndihmesën e dhënë.

Favor Tiranës? Tomori nuk luan për askënd dhe nuk është levë e askujt por luan vetëm për veten, nderin, fanellën dhe qytetin.

Objektivat? Ne tashmë me veten kemi një objektiv për të arritur vendin e dytë. Sot edhe njëherë treguam se kjo skuadër dhe ky qytet meriton Superioren dhe shpresoj që kjo ditë të vij shpejt.

Të veçanta:

Në tribunën VIP ishin drejtuesit e Bylisit, presidenti Kapllanaj dhe trajneri hije Memushi.

Pak minuta pasi nisi ndeshja në tribunë erdhën edhe drejtuesit e Tiranës që këtë javë ishin pushim. Mes tyre edhe trajneri Ze Maria dhe presidenti Halili.

Në stadium ishin rreth 2 mijë tifozë beratas që ndoqën ndeshjen shpesh edhe shumë të ashpër me sharje ndaj skuadrës apo futbollistëve të Bylis.

Sulmuesi i Tomorit qëndroj vetëm 10 minuta në fushë pasi sa hyri pëson një dëmtim të rëndë në kokë. Pasi mori mjekimin në fushë ai u dërgua në spital ku mori një mjekim më të specializuar.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re