Në Berat duket se nuk është harruar humbja e pësuar ndaj Tiranës por edhe gjykimi i njëanshëm i bërë atë ndeshje. Klubi beratas ditën e djeshme me një shkresë zyrtare ka reaguar për arbitrimin në ndeshjen ndaj Tiranës por jo vetëm.

Kjo shkresë e drejtuar në Sektorin e Garave në FSHF është drejtuar kundra dy gjyqtarëve Evaldo Dyrmishi dhe Endrit Zhuli që ishin pjesë e katërshes që drejtoj këtë sfidë.

Dyrmishi, i cili ishte kryesor në këtë ndeshje për penalltinë e dhënë në favor të Tiranës, e cila dukshëm ishte një penallti inekzistente. Por jo vetëm beratasit pretendojnë një ndeshje të gjykuar keq dhe në dëm të tyre por edhe për një penallti të mohuar për Tomorin. Pikërisht këto vendime të gabuara kanë ndikuar në rezultatin e ndeshjes dhe fitoren e arritur nga Tirana.

Po ashtu Evaldo Dyrmishi akuzohet se ka një gjykim tendencioz ndaj Tomorit edhe sepse në ndeshjen e gjykuar ndaj Apolonisë në Berat, sërish e humbur nga beratasit ka ndëshkuar me kartonin e kuq Kolecin. Më pas mesfushori Aristotel Koleci u dënua me pesë ndeshje pezullim nga komisionet e FSHF-së.

Ndërsa gjyqtari tjetër Zhuli quhet pjesë e kësaj vorbulle në takimin kundra Tiranës sepse edhe ai ka precedent ndaj Tomorit. Në një ndeshje të gjykuar prej tij në fazën e parë ndaj Ilirisë në Fushë Krujë, Tomorit i janë mohuar dy penallti dhe anulluar një gol i rregullt. Po ashtu edhe goli i vetëm i fushëkrujasve që vendosi ndeshjen ka nisur nga një pozicion jashtë loje.

Pikërisht për këto arsye të pasqyruar në këtë shkresë drejtuesit e klubit Tomori shpallin të padëshiruar dy gjyqtarët Dyrmishi dhe Zhuli dhe të mos jenë sërish në drejtimin e një ndeshjeje të Tomorit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re