Sot është zyrtarizuar, si kampion i grupit B në Kategorinë e Parë, Tomori U19. Skuadra e drejtuar nga trajneri Iken Droboniku e ka dominuar sezonin me 56 pikë të grumbulluara në 24 javë. Ndeshja e fundit duhet të luhej në Berat përballë rivalëve kryesor të këtij sezoni, Termit por skuadra nga kryeqyteti nuk u paraqit në fushë dhe kështu beratasit sigurojnë një tjetër fitore në tavolinë duke vazhduar festën e tyre.
Ndërsa Krisild Zoga, mesfushori i Tomorit është shpallur golshënuesi më i mirë i skuadrës dhe kampionatit me 22 gola.
Tashmë skuadra e Tomorit pritet të luaj edhe finalen e Kategorisë së Parë me fituesen e grupit A, Ilirinë ku do të synohet edhe kupa e kësaj kategorie, që do të ishte edhe qershia mbi tortë për një sezon të mrekullueshëm që kanë bërë të rinjtë beratas. Ndërkohë nga sezoni i ardhshëm Tomori U19 do të luaj për herë të parë në Kategorinë Superiore.

Por ndeshjet e moshave në Berat nuk kanë munguar pasi ka luajtur skuadra U17, e cila ka fituar sot ndaj Durrësit 04. Ndeshja është fituar falë golave të Karadakut dhe Gorezit nga një gol për secilin fraksion. Ndërsa miqtë nga Durrësi golin e barazimit të përkohshëm e kanë shënuar me Nasufin. Fitorja nuk ndryshon asgjë në renditjen finale të kampionatit me Tomorin U17 që e mbyll në vendin e parafundit. Por skuadra në ndeshjet e fundit pas emërimit të trajnerit Santiliano Dule ka ndryshuar fytyrë duke grumbulluar pikë dhe fitore të rëndësishme./Berati.TV
Tomori U17 – Durresi 04 U17 2-1
Shwnues: Karadaku 31’, Gorezi 48’/ Nasufi 40’
Tomori U19 – Termi U19 (nuk u zhvillua)
