Tomori do të luajë në Kategorinë e Dytë në sezonin e ardhshëm, pas humbjes 4-1 që pësoi dje në Cërrik nga Turbina. Beratasit rikthehen të luajnë në nivelin inferior të futbollit shqiptar pas tri vitesh. Një sezon i dështuar, për një prej klubeve që kanë bërë histori në futbollin shqiptar.

Tomori e nisi si pretendent për t’u ngjitur në Superiore, por u rrëzua në Kategorinë e Dytë. Në një reagim ekskluziv për gazetën “Panorama Sport”, është ish-kapiteni i Tomorit në vitet e arta ku skuadra u shpall nënkampione në 1999-2000, Madrid Muzhaj, që akuzon drejtpërdrejt drejtuesit aktualë të klubit si shkaktarët kryesorë të rënies së skuadrës në të Dytën. Madje, Muzhaj nuk kursehet duke akuzuar se janë bërë edhe vjedhje.

MUZHAJ

“Është shumë e dhimbshme që Tomori bie në Kategorinë e Dytë, por ishte një gjë që pritej që në momentin kur skuadra bojkotoi ndeshjen ndaj Bylisit në Ballsh. Ky ishte gabimi i parë që bënë drejtuesit aktualë të klubit. Pastaj, veprimet e tifozëve janë të dënueshme, por ne e kemi parë që ato ndodhin në të gjitha stadiumet e Shqipërisë. Në sfidën me Apoloninë, Tomori është dënuar me pa të drejtë.

Ndërsa vendimi për të bojkotuar më pas sfidën me Bylisin e çoi ekipin në rënien në të Dytën. Dhe rrëzimi i skuadrës ka ardhur vetëm për faj të drejtuesve të klubit, jo të lojtarëve. Duke mos u dhënë rrogat lojtarëve, si edhe duke u bërë presione dhe gjëra të tilla, nuk mund të ndodhte ndryshe. I gjithë faji është i drejtuesve në bashki dhe atyre që janë në klubin Tomori”, u shpreh fillimisht Muzhaj në reagimin e tij.

AKUZAT

I pyetur nëse e ka ndjekur Tomorin këtë sezon në stadium, Muzhaj përgjigjet: “Tomorin nuk e kam ndjekur në asnjë ndeshje këto katër vite. Nuk mund të shkoja në stadium kur të gjithë të paaftët ishin mbledhur në klubin beratas. Për Tomorin shpenzohen 27 milionë lekë të vjetër në muaj, një shumë e konsiderueshme për ekipin dhe të mos bësh asgjë, kjo është shumë shqetësuese. Aty është bërë një vjedhje kolosale”.

RINGRITJA

Lidhur me ringritjen e skuadrës, Muzhaj mendon se Tomori do ta ketë të vështirë. “Të them të drejtën, unë e njoh mirë Kategorinë e Dytë, pasi jam drejtor sportiv te Skrapari, që militon në këtë kategori. Është një situatë shumë e vështirë, që nuk mund të kalohet lehtë.

Duhet një dorë e fortë dhe angazhim maksimal. Privatizimi është gjëja e parë që duhet bërë. Çdo klub ka nevojë për një president, pasi bashkia nuk e merr shumë seriozisht. Kryebashkiakët nuk shohin shumë larg, sepse mendojnë se 4 vite do jenë dhe më pas largohen”, përfundoi reagimin e tij për gazetën, ishkapiteni Madrid Muzhaj.

BESAR BOZGO  – PANORAMASPORT.AL

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re