Nga Vangjel Buda

Përse dua të bëhem mbështetës i U-17?
E përse mos të bëhem përderisa në këtë grup është një brez i talentuar futbollistës, që vërtet na ktheu nostagjin e ndeshjeve të një niveli të lart.

Kështu, ndodhi më 29 maj, ka qenë një ndeshje befasuese e futbollit beratas. Nuk mer fort përparësi rezultati i saj, 4-4, edhe pse një ndeshje që u duk se do të përfaqësonte një kthesë shpresuese të Tomorrit u-17. E rëndësishme ishte që pamë një ndeshje me një Tomorr u-17 krejt sulmues, të një dëshire për të fituar. Pamë një ndeshje të pakompromis. Mbi të gjitha, pamë një ndeshje futbolli të vërtet, deri diku dhe të një stili europian. Nuk ra ritmi për 90-minuta të tëra dhe një ankth, në kuptimin e mirë të kësaj fjale, mbeti i nderum mbi suprinën e gjithë episodeve që fusha blertë ndërtoi në këtë ndeshje. Dhe ajo çka është më e rëndësishme, u pa deri një nivel i mirëfilltë taktik, çka nënkupton jo një futboll spontan, por deri diku të paramenduar. Nuk po na pëlqen me u ndalë te episodet delikate, atyre të sjelljeve të pajishme të disa prej lojtarëve kundërshtarë, dhe të shënimit të golave të Tomorrit u-17 që mund të kalojnë pa ndonjë mëdyshje. Më e dobishme do të ishte të ndalonim te mënyra se si Tomorri u-17 e deshi fitoren me Lushnjen u-17, e kërkuar ndoshta me stilin e dikurshëm të Tomorrit që mbajnë mend, të një sulmi të vazhdushëm hapësinor, e herë mbas here kundërsulmor, çka për vite të tëra i dha tone futbollit Shqiptar.
Një pjesë e parë e endur mes golave të Cenos, Arbrit e Zogës, një ekip i organizuar mirë dhe meritë për këtë ka traineri Klodian Arbri. Një ekip i etur për fitore, por Lushnja u-17 nuk desh të dorëzohej, teksa kërkoj pa ndal barazimin. Nuk qe me fat, ndonëse mund të rëshqiste edhe në 4-2! Merita e 11-shit beratas ishte se ai diti të shpalos një lojë elastike, po aq sa ç’pranonte sulmet e vazhdueshme lushnjar, po aq shpaloste të tijtë.

Asnjëherë në këtë kampionat një 90-minutësh nuk ka kaluar kaq shpejt sa ky i 29 majit të një mbasditeje, e gjitha vërtetësisht futbollistike.

Kur mbas 24 orësh erdhi e diela, e takimit Kastrioti – Tomorri, shpresonim një akt të dytë të së njëjtës dramë. Por në këtë rast, ky 90-minutësh nuk pati thuajse asgjë nga ajo ndeshje e 17-vjeçarëve, as shpejtësin, sulmin e dyanshëm, rastet, gjuajtjet, ritmikën e lart. Me një ndryshim “të vogël” taktik. Nëse një ditë më parë skuadrat kërkonin fitoren pa lëshim, kësaj radhe skuadra mike, ajo beratase, luante më tepër në mbrojtje.

E vërteta, është se të dyja këto ndeshje të rrufeshme, vetëm në ndeshjen e 17-vjeçarëvë pati një numër të konsiderushëm spektatorësh rreth 600-700 e dhënë kjo që sot në “epokën” e braktisjes së madhe që beratasit i bëjnë ekipit të tyre të duket krejt e jashtëzakonshme.

E pra, a mund të thërrasim spektatorin në stadiumin “Tomorri”? Dhe ndërkaq përse erdhën kaq shumë spektator në një ndeshje moshash? Nuk është e lehtë t’u përgjigjesh këtyre dy pyetjeve. Ndonëse diçka mund të themi megjithatë. Do të thoshim se rëndësia e tyre, që për situatën e vështirë, sidomos për ekipin e Parë, i cili do të vazhdoj të paktën edhe një vit në Kategorin e Dytë. E nga ana tjetër 17-vjeçarët me ndeshjet e bukura të zhvilluara ka bërë që nga ndeshja në ndeshje të shtojë afrimin e spektatorit në stadium. E ndërkaq, thirrja për te një shpresë të një futbolli më cilësor se deri tash, çka përbërja e këtyre dy skuadrave në një farë mënyre ta siguronte, vetvetiu ishte një thirrje e dytë për të ardhur në stadium.

Ndoshta është ky rrugëtim i bukur, i ri, i Tomorrit U-17, që mund të na bëjë të shpresojmë vërtet për një kthesë, e që mund të na rikthehejë spektatorin. Dhe vetëm kur të rikthehet spektatori, do të mund të themi se futbolli beratas shpëtoi. Ai ende është në “rrezik”!