Top Story u ndal tek ajo që është “thembra e Akilit” në të gjithë çështjen e sindikatave. Pronat që ato kanë marrë në zotërim.

Këto asete shtetërore u dhanë me një dekret të ish-Presidentit të Republikës, Sali Berisha, nr 204, datë 05.06.1992.

“Ishin shtëpi pushimi, ish-shtëpitë e pushimit të pionierëve, ish-shtëpitë e pushimit të punëtorëve, qendra kulturore, zyra të vogla apo godina të mëdha, nga veriu në jug. Ajo që më bënte përshtypje ishte që pozicioni gjeografik ishte nga më të volitshmit. Ndoshta edhe për shkak të funksionit që kishin si shtëpia pushimi”, tha Dhurata Çupi, Ish-Agjencia e Pronave Publike.

Në tregun e sotëm vlera e këtyre pronave përllogaritet mbi 2 miliardë euro. Pasojat që solli zbatimi i këtij vendimi u rregulluan edhe me ligjin numër 8340/1 datë 06.05.1998. Me këtë dekret dhe me këtë ligj, sinidikatat e gjetën veten brenda ditës në administrim të pasurive marramendëse.

“Pronat ishin “thembra e Akilit” për sindikatat dhe unë do ta thoja me bindje se pronat shkatërruan sindikatat”, tha Ylli Ballta, Sindikata e Punonjësve të Postës.

Më pas, dy polet kryesore të sindikalizmit bënë një marrveshje për ndarjen e pronave midis tyre. Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, e cila drejtohet nga Gëzim Kalaja, do të merrte 60% të pasurive shtetërore dhe Konfederata e Sindikatave Shqiptare të Kol Nikollës, vetëm 40%.

Pikërisht pronat me vlerë 2 miliardë euro që morën këto sindikata shkatërruan misionin e tyre për mbrojtjen e punëtorëve.

Top Channel

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re