Shtëpitë e barit janë bërë sërish burim përplasjesh mes grupeve kriminale në Angli.

 

Andi Alushi 27 vjeç dhe lituanezi 39-vjeçar Valdemaras Kasinskas, anëtarë të një bande, janë dënuar dje nga Gjykata britanike me 19 vite e gjysmë burg për rrëmbim personi dhe torturim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

 

Kjo ngjarje e rëndë ka ndodhur në Shefild, ku dy shqiptarë janë torturuar pas dyshimeve se kanë shkatërruar një ambient që përdorej për kultivimin e kanabisit.

Për dhjetë ditë gjatë majit të 2022, këta të fundit janë lidhur me zinxhir në një radiator e janë detyruar të hanë në tasa që përdoren për qentë. Për më tepër viktimat janë poshtëruar duke u detyruar nga shqiptari e lituanezi të kërcejnë teksa torturuesit mbanin në duar hanxharë.

 

Hetimet nisën pasi lituanezi u mburr në mediat sociale me videot, të cilat më pas u denoncuan në polici.

Hetimet janë bërë nga një skuadër e përbashkët mes SPAK dhe prokurorëve të Britanisë e të Uells-it, të cilat hodhën dritë mbi keqtrajtimin çnjerëzor që u është bërë dy shqiptarëve të cilët janë filmuar.

Në shtator të 2022 disa hetues britanikë mbërritën edhe në vendin tonë për hetime më të thelluara.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re